Turqi, gjenerali braktis sallën e gjyqit

27/03/2012 15:30

Ish-shefi i forcave të armatosura turke, gjenerali Ilker Basbug, u largua nga salla e gjyqit në shenjë proteste për përdorimin e përgjimeve telefonike nga ana e akuzës, që po e ndjek për akuzat e terrorizmit dhe tentativës së komplotit për një grusht shteti.

Përpara se të largohej, Basbug u shpreh se nuk ka ndërmend të mbrojë veten nga akuza të sajuara.

Sipas prokurorisë turke,
Basbug ishte koka e një rrjeti prej 400 ushtarakësh, të quajtur si rrjeti i Ergenekon, që tentoi të organizonte një grusht shteti në vitin 2003, për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Erdogan.

Gjenerali 68-vjeçar konsiderohet si drejtues i një rryme ultranacionaliste dhe konservatore brenda ushtrisë, i pakënaqur me rritjen e peshës së fesë në udhëheqjen e shtetit dhe të reduktimit të rëndësisë së ushtrisë.

Gjithashtu, ai po ndiqet edhe për krijimin e disa faqeve të internetit, të cilat deri në mbylljen e tyre në vitin 2008 realizuan propagandë anti-qeveritare, ndërsa është akuzuar edhe si udhëheqës i një organizate terroriste.

Për vetë rëndësinë e çështjes dhe reagimet e ashpra që ajo ka ngjallur në vend, Basbug po gjykohet brenda një salle gjyqi të improvizuar në burgin ku është izoluar, në Silivri, pranë Stambollit.

Në fillim të procesit, përpara se të largohej në mënyrë demonstrative nga salla, Basbug i kërkoi trupës gjykuese që të dërgonte çështjen në godinën dhe kompetencën e Gjykatën e Lartë, por kërkesa u refuzua, me argumentin se janë realizuar të gjitha kushtet e përshtatshme për të realizuar një gjyq të balancuar dhe të ekuilibruar.

Top Channel