Leksionet e krizës greke

27/03/2012 19:40

Pasi kriza greke ka zbritur nga kulmi i saj, vëmendja e pjesës më të madhe të ekonomistëve dhe politikbërëseve në Shqipëri është zhvendosur tek mësimet që kjo krize dha.

Pjesa e eskpërtëve të spektrit politik të majtë favorizojnë idenë e një konsensusi të madh politik për të bërë reforma që e mbajnë vendin larg krizës, ndërsa të djathtët kanë tjetër renditje prioritetësh.

“Bashkimi Europian nuk është formula magjike për zgjidhjen e problemeve strukturore që kanë vendet tona, siç janë mungesa e fleksibilitetit të tregut të punës dhe kostot buxhetore të politikave sociale”, deklaroi ish-Ministri i Financave, Arben Malaj.

“Leksioni i dytë i kësaj krize, që ka të bëjë me paraët e ndihmave të BE-së, përvoja e vendeve juglindore tregon se ato janë keqpërdorur nga qeveritë ose kanë lehtësuar qëndrimin në pushtet të administratave, që nuk kanë kryer reformat e domosdoshme. Leksioni i tretë, është mosbashkëpunimi i partive politike për reforma jetike që përpara përfshirjes nga kriza. Leksioni i katërt, nga krizat nuk dilet pa kompromis”, shtoi Malaj.

Nga ana e tij, Selami Xhepa, ekspert i politikave ndërkombëtare në Partinë Demokratike, u shpreh: “Viti 2012 duket që është një vit më i vështirë, por kjo nuk do të thotë që Shqipëria është në krizë dhe që detyrimisht kërkon një koalicion të madh për të përballuar situatën. Shqipëria nuk ndodhet në një realitet të tillë ekonomik, të cilin e kemi kaluar më parë në vitin 1997”.

Ekspertë të shoqërisë civile i mëshojnë idesë për një kohezison social të paravendosur përpara se krizat të ndodhin, në mënyrë që besimi tek institucionet të jetë i palëkundur.

“Ka një diskutim solidariteti dhe kohezioni që mungon pothuajse tërësisht. Kjo duhet formuar në periudhë paqeje, në mënyrë që ta kemi të formuar në periudhë të ndonjë goditjeje”, deklaroi eksperti i ekonomisë, Gjergji Filipi.

Ndonëse përshkrujanë doza të ndryshme të infeksionit të ekonomisë vendase  nga kriza  greke, ekspertiza shqiptare ka arritur në një qëndrim të përbashkët.

“Mendoj se leksioni më i rëndësishëm i arritur nga krizat është kuptimi i kufijve të rritjes ekonomike. Këto janë kufinj që na i imponon sistemi dhe vetë madhësia e ekonomisë sonë. Tashmë është e qartë se çdo bum i arritur në formë të përshpjetuar nga kapitali i kredisë, është një bum i rrezikshëm, që mund të zhbëjë të gjithë progresin që mund të ketë realizuar shoqërua brenda një farë kohe”, përfundoi Zoti Xhepa.

Top Channel