Sherif Al-Mashad, për 8 vjet qëndroi në burgun e Guantanamos si i
dyshuar për terrorizëm. Një marrëveshje mes qeverisë amerikane dhe asaj
shqiptare do ta sillte atë në Shqipëri së bashku me 10 të burgosur të
tjerë.

I lindur në Egjipt, 36 vjecari Al-Mashad ishte emigrant në Itali dhe më pas do të shkonte në Afganistan. Pas qëndrimit në Guantanamo, ai është duke u përballur me një tjetër problem, moslejimin e udhëtimit nga qeveria shqiptare, për në vendlindje.

Në këtë intervistë të parë televizive ai shpjegon përpjekjet për t’u bashkuar me familjen, si u kap në Afganistan, cfarë ishte burgu Guantanamo, jetën e re në Shqipëri, ku edhe është martuar me një vajzë shqiptare, dhe kërkesën drejtuar gjykatës amerikane për të pastruar emrin e tij. si i dyshuar në përfshirjen në terrorizëm.

Top Channel
: Sa kohë keni që i jeni drejtuar me një kërkesë qeverisë shqiptare për t’u rikthyer pranë familjes tuaj në Egjipt?

Al-Mashad
: Që prej 8 muajsh. Kurrë nuk kam marrë një përgjigje të qartë. Kam folur me drejtoreshën e Refugjatëve zonjën Drita Avdyli dhe zyrtaret e Ministrise se Brendshme. Ata kanë kërkuar një garanci nga Egjipti, që në rast kthimi unë nuk do të persekutohem. Ky dokumentacion ka mbërritur dhe unë e kam një kopje të kësaj letre. Po kështu edhe ambasadorja e Egjiptit ia ka përcjellë këtë dokument Ministrisë së Brendshme, të Jashtme dhe asaj të drejtësisë. Dua të them se nuk ndjehem keq në Shqipëri, por kam arsyet e mia përse duhet të vizitoj familjen time në Egjipt. Kam nënën te moshuar dhe te sëmurë. Nga ana tjetër jam shumë krenar që jam në Shqipëri. Këtu jam martuar me një vajzë shqiptare, por dëshiroj që shteti shqiptar të sillet me ne në mënyrë normale. Në bindjen time nuk ka asnjë arsye përse të na trajtojnë me fobi. Ne nuk kemi përse të paguajmë edhe njëherë tjetër një taksë të cilën ne e paguam për 8 vjet në burgjet e Guantanamos.

Top Channel: A keni dijeni se cfarë ka ndodhur me të tjerë persona që kanë qenë të ndaluar në Guantanamo dhe janë marrë nga vende të tjera europiane, siç ishte edhe rasti i Shqipërisë?Cfarë ka ndodhur me ata a janë rikthyer pranë familjeve të tyre?

Al-Mashad: Me sa di, prej atyre 40 personave që ishin në Guantanamo janë shpërndarë në të gjithë Europën, ku 20 prej tyre janë në Britaninë e Madhe, një pjesë e tyre janë kthyer në vendet e tyre apo kanë mundësi të lëvizin në të lirë nëpër Europë. Një gjë e tillë më bën të çuditem përse shteti shqiptar këmbëngul me kaq forcë që unë të qëndroj këtu dhe mos të kthehem ne vendin tim. Italia, Zvicra, Britania apo Çekia ua kanë dhënë të drejtën të burgosurve të Guantanamos të kthehen në vëndet e tyre, ndërkohë që shteti shqiptar, të paktën nuk na jep as edhe një arsye të fortë për ndalimin e largimit tonë.

Top Channel: Gruaja juaj është ndaluar në dy raste është ndaluar të udhëtojë jashtë Shqipërisë. Mund të na shpjegoni se çfarë ka ndodhur?

Al-Mashad
: Po, me sa më kujtohet është ndaluar në 10 shtator të vitit të shkuar dhe herën e dytë pas një jave më 17 shtator. Ajo dëshironte të vazhdonte studimet ne Egjipt, por kur shkoi ne aeroport me pasaporte dhe vize egjiptiane, policia e ndaloi. Kur iu drejtova autoriteve për shpjegime më thanë që duhet t’i drejtohem gjykatës. Sigurisht kjo nuk është e drejtë pasi nuk ka arsye për të shkuar në gjykatë. Nuk më çuan në gjykatë kur isha në Guatanamo dhe përse duhet t’i drejtohem për këtë gjykatës shqiptare?

Top Channel
: Do të doja t’ju pyes, si ndodhi arrestimi juaj në Afganistan dhe si përfunduat në duart e amerikanëve?

Al-Mashad
: Pas ngjarje të 11 shtatorit, vetëm prezenca e një personi arab në rrugët e Pakistanit dhe Afganistanit ishte  një arsye e mjaftueshme që ti te arrestoheshe. Ne u ndodhëm në një kurth në fshatrat që ishin pranë kufirit me Pakistanin. Pasi kam bujtur në një familje ata njoftuan forcat pakistaneze, të cilat na arrestuan pa asnjë lloj rrezistence në një formë shumë paqësore dhe më pas na kaluan tek amerikanët. Unë jam krenar për shkuarjen time në Afganistan. Kishte të bënte me dhënien e ndihmave humanitare popullit afgan. Për ketë jam krenar dhe s’kam aspak frikë ta pohoj. Përsa i përket jetës në Guantanamo dhe do të përpiqesha të gjeja një fjalë për ta përshkruar atë dhe jetën tonë atje. Mund të them me plot gojën që Guantanamo ishte një laborator dhe jo një burg.  Për këtë arsye atje janë ushtruar të gjitha mënyrat  e dhunës. Prandaj e them se nuk ishte një burg për njerëzor, por e ndërtuan në formën që ata dëshironin.

Top Channel