Kristo Frashëri, qytetar nderi i Tiranës

21/03/2012 00:00

Mund t’i ndajnë idetë politike përfqaqësuesit e pozitës dhe opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, por kur vjen puna për të vlerësuar persona që kanë kontribuar në evidentimin e vlerave historike të kryeqytetit, votimi është unanim.

Është rasti i historianit Kristo Frashëri, për të cilin është vendosur që t’i akordohet titulli “Qytetar Nderi”, me propozim të grupit të këshilltarëve socialistë dhe me miratim të plotë nga të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit.

Përpos kontributit të përgjithshëm rreth 70-vjeçar në historinë shqiptare, profesor Kristo Frashëri ka ndikuar ndjeshëm edhe në evidentimin e vlerave historike dhe kulturore të Tiranës, nëpërmjet studimeve dhe botimeve mbi historinë e saj.

Ai është historian i temave të rëndësishme mes të tjerash politike, shoqërore dhe ekonomike. Një kontribut të rëndësishëm profesor Frashëri ka dhënë edhe në korrigjimin që historiografia e huaj i ka bërë asaj shqiptare, duke evidentuar veçoritë e qytetërimit ilir dhe prejardhjen direkte të shqiptarëve prej tyre.

Ndër veprat e shumta të tij renditen edhe ato mbi Gjergj Kastriot Skëndërbeun, Identitetin Kombëtar të Shqiptarëve, Shpalljen e Pavarësisë në vend, etj.

Pak muaj më parë historianit Kristo Frashëri iu dha edhe çmimi “Dritan Hoxha 2011”, nga fondacioni mediatik Dritan Hoxha, me motavicionin për kontributin e tij për identitetin dhe integritetin shqiptar.

Top Channel