Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Ian Bancroft e ka cilësuar si të pamundur futjen e çështjes së statusit të Kosovës në dialogun Prishtinë-Beograd.
Bancroft ka theksuar se një gjë e tillë nuk mund të bëhet duke parë përkrahjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, por ka nënvizuar se mund të zhvillohen negociata për ndryshimin e kufijve.
Në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, analisti i njohur i gazetës prestigjoze britanike “The Guardian” ka parashikuar se Serbia nuk do ta marrë datën për nisjen e bisedimeve me BE nëse nuk shpërbën strukturat paralele dhe nuk zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel me Kosovën.
Drejtori ekzekutiv i organizatës britanike “Transconflict” e ka vënë theksin në veçanti tek aplikimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve.
“Beogradi do të jetë nën presion ndërkombëtar për të bërë një trysni të fortë mbi serbët në veri, ndikim ky që nuk e posedon sa duhet, në veçanti për të siguruar qasjen e plotë të EULEX-it”, ka pohuar Bancroft.
Më tej, ai e ka cilësuar marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale si një pakt me interes për të dyja palët.
Ndërsa përsa i përket mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, ai ka vlerësuar se ky proçes vetëm sa do të tensiononte më shumë situatën në shtetin e ri.
“Serbia do të pranojë kompromisin që në Kosovë të organizojë vetëm zgjedhje parlamentare”, ka shtuar më tej analisti i njohur i çështjeve rajonale.
Dy ditë më parë ishte analisti tjetër për çështjet politike të Ballkanit, profesori në Universitetin e Oksfordit, James Pettifer, i cili në një intervistë për Top Channel lëshoi alarmin se në Kosovë situata mund të përkeqësohet.
Top Channel