Aleanca Kuq e Zi lajmëroi për anëtarësimin e disa qindra qytetarëve të Librazhdit në radhët e lëvizjes, gjatë një aktiviteti të zhvilluar të dielën në qytetin e Shqipërisë së Mesme.
Ndërkohë, përpara simpatizantëve të lëvizjes, drejtuesit e Aleancës Kuq e Zi lëshuan akuza të ashpra ndaj të dy forcave më të mëdha politike në vend, të konsideruara si përgjegjëse për “humnerën ku po e drejtojnë vendin”.
Një çështje e rëndësishme për Aleancën Kuq e Zi ishte edhe reforma e ngecur zgjedhore. “Vonesat në procesin e reformës zgjedhore janë të pajustifikuara. PS dhe PD po e çojnë vendin në humnerë dhe po përpiqen të ruajnë monopolin e tyre mbi politikën shqiptare. Qeveria nuk është e interesuar që të kryejë një reformë të mirëfilltë, sepse shpresa e tyre e vetme për të qëndruar në qeveri është manipulimi”, deklaroi AKZ, që kërkoi shkuarjen në zgjedhjet e 2013-s me një qeveri teknike të përbërë nga ekspertë.
Nga Librazhdi, AKZ, e cila ofroi ekspertët e saj për kryerjen e reformës zgjedhore, akuzoi mazhorancën edhe si mashtrues të emigrantëve, të cilëve u është premtuar më parë njohja e votës së tyre.
Aleanca kritikoi edhe sistemin aktual proporcional, duke vlerësuar se listat e deputetëve që zgjidhen nga kryetari i partisë kanë vendosur në Kuvend radhë servilash që janë të preferuarit e liderave të tyre, ndërsa kërkoi që edhe përzgjedhja e listës së deputetëve të bëhet nëpërmjet votës popullore.
Top Channel