Shqipëria në hartën e pastrimit të parave

08/03/2012 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit e përfshin Shqipërinë në listën e zezë të shteteve të dyshuara për riciklimin e parave. Në raportin mbi strategjinë dhe kontrollin e narkotrafikut, administrata amerikane e rendit Shqipërinë në kategorine e vendeve me juridiksione shqetësuese, po njësoj si Belgjika, Republika Çeke, Korea e Veriut dhe ajo e Jugut, Siria apo Jemeni.

Në raportin e këtij viti, Departmanenti Amerikan ka shtuar edhe Selinë e Shenjtë, gjë që ka vënë në vështirësi Vatikanin. Kategoria e parë është ajo e “Juridiksioneve të Shqetësimit Parësor”, ku përfshihet; Afganistani, Australia, Brazili, Kina, Japonia, Italia, Rusia, Britania e Madhe, madje dhe vetë Shtetet e Bashkuara.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka vënë jo pak në pozitë të vështirë “Selinë e Shenjtë”. Një prej zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, që kërkoi të mbetej anonym, shpjegoi se Vatikani për herë të parë në vitin 2011 ka futur në zbatim një program kundër riciklimit të parave, por, sipas tij, do të duhet një vit për të kuptuar nëse është efikas ose jo.

Pikërisht për këtë arsye mbetet tejet i cënueshëm nga ky problem, si pasojë e shumë parave që qarkullojnë mes Selisë së Shenjtë dhe pjesës tjetër të botës. Cdo vit zyrtarët amerikan të agjensive kundër pastrimit të parave vlerësojnë situatën në 200 juridiksione.

Rishikimi përfshin vlerësimin e transaksioneve në institucionet financiare të vendit, duke përfshirë të ardhurat nga krimi, hapat e marra ose jo për të adresuar shkeljet dhe pastrimin e parave, përputhjen e ligjeve dhe politikave me standardet ndërkombëtare, efektshmërinë e qeverisë dhe vullnetin politik për të ndërmarrë hapat e duhura.

Raporti i vitit 2012 bën një ndarje në tre kategori, Juridiksione të Shqetësimit Parësor, Juridiksione Shqetësuese dhe Juridiksione të tjera të vëzhguara.

Top Channel