Anonymous sulmon Selinë e Shenjtë

07/03/2012 21:55

Faqja e internetit e Vatikanit është sulmuar të mërkurën nga grupi i hakersave Anonymous, që ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit përmes web site-it të tij.

“Sot Anonymous ka vendosur të pushtojë faqen tuaj si kundërpërgjigje ndaj doktrinave, liturgjive dhe ideve absurde e anakronike që organizata juaj propagandon”, ka njoftuar grupi.

Në njoftimin në fjalë saktësohet se, sulmi nuk synon të godasë asnjë besim fetar në botë, qoftë atë të krishterë, mysliman apo çfarëdo tjetër. Ndërkohë, Selia e Shenjtë ka konfirmuar sulmin.

Anonymous është grupi i piratëve informatikë më të frikshëm të internetit dhe sa herë që ai goditet nga autoritetet e vendeve të ndryshme hakmerret duke sulmuar faqe zyrtare interneti.

Hakersat e kwtij grupi arrijnë të bllokojnë web site-t duke u dërguar atyre një numër të madh pyetjesh në të njëjtën kohë, ose duke depërtuar në servera dhe duke marrë dokumenta të rezervuara, të cilat publikohen më pas në rrjet.

Lista e viktimave të grupit është tejet e gjatë. Së fundmi piratët e tij kanë vjedhur dokumente sekrete nga serveri i Parlamentit gjerman dhe kanë arritur të marrin në dorë mesazhet e 78 këshilltarëve të presidentit sirian Bashar al Assad.

Gjithashtu, piratët kanë transmetuar në rrjet një video-konferrencë mes FBI-së dhe Scotland Yard mbi luftën kundër piraterisë informatike.

Në rrjet kanë përfunduar gjithashtu edhe të dhënat e Henry Kissinger, pasi u vodhën nga serveri i një kompanie sigurie në Teksas të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA