Rishikimi i historisë, “jo nga politika”

03/03/2012 00:00

Historia e Shqipëriseë duket se do të kalojë një tjetër sprovë. E politizuar dhe shpesh e devijuar, historia, sipas qeverisë, ka nevojë të rishikohet.

Vecanërisht ajo e periudhës së komunizmit, për të mësuar një dimension real të ferrit komunist, por edhe ajo e periudhës së mbretërisë.

Kryeministri Berisha ka dhënë një kontribut personal në rivlerësimin e Ahmet Zogut, historia e të cilit është një nga deformimet më të mëdha të bëra nga historiografia komuniste.

Por nga diskriminimi politik tek vlerësimi politik, mund të bëhen sërish të njëjtat gabime, ndaj historianët thonë se cdo rivlerësim i historisë duhet të bëhet nga historianët.

Në kuadër të rivlerësimit dhe pasurimit të historisë, vec komunizmit dhe monarkisë, vëmendje do të marrë edhe lufta nacional-clirimtare dhe periudha e pavarësisë.

Sipas historianes Valentina Duka, periudha e pavarësisë do të marrë një hov të ri, ndërkohë që është hedhur dritë mbi lëvizjet, takimet diplomatike të Ismail Qemalit në kancelaritë europiane e më tej.

“Ka takime shumë interesante të Ismail Qemalit, veprimtaritë shumë interesante të tij, ka hapë, ndonjëherë edhe të gabuara politike, jo se s’e deshte Shqipërinë, por sepse në momente të caktuara kishte të vështirë edhe të orientohej politikisht në atë Europa dhe Ballkan aq të trazuar”, thotë historiania, Valentina Duka.  

Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta shpjegon se ndryshimi i historisë është një punë që do të hajë kohë dhe nuk mund të pretendojmë se do të përmbyllet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Gjithsesi grupet e punës janë krijuar, detyrat janë ndarë. Sipas Metës, periudha e monarkisë do të shihet tani ndryshe dhe mbreti Zog do të ketë një tjetër vend në historinë e ndryshuar, ashtu sic do të rishikohen lëvizjet e shumë figurave të tjera të kësaj periudhe

“Do të ketë ridimensionim të figurës së Zogut, në vitet 1920, ’23, ’24, të Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Elez Isufit etj. Pra do të ketë rivlerësime duke ndarë këto figura, jo bardhezi, sic janë trajtuar deri më tani, por me asetet e tyre, kontributet e tyre, por dhe me gabimet dhe luhatjet në procesin politik të asaj kohe”, thotë zoti Meta.   

Figura e Ahmet Zogut është një figurë komplekse, me anët e tij pozitive dhe negative. Sipas historianit Ksenofon Krisafi nuk mund të hedhim poshtë përpjekjet e Zogut për konsolidimin e shtetit shqiptar, por gjithashtu nuk mund të harrojmë pazaret për pushtet me jugosllavët apo lëvizjet aspak patriotike të tij që cuan në shitjen e Shën Naumit.

“Sipas mendimit tim, Ahmet Zogu duhet të përfshihet në radhën e atyre personaliteteve politike shqiptare që dha kontributet e veta për konsolidimin e shtetit shqiptar. Por këto nuk mund të sfumojnë aspektet të cilat janë pjesë përbërëse të personalitetit të Zogut, sic është fjala vjen, qendrimi ndaj Shën Naumit, cedimit të Shën Naumit dhe të Vermoshit dhe qendrimi politik përballë Italisë”, thotë historian, Ksenofon Krisafi.

Nëse do të marrim parasysh shprehjen e historianit të famshëm Bernd Fischer se për të kuptuar shqiptarët e vitit 2000 e tutje është e rëndësishme të përpiqesh të zbulosh kush qenë ata gjatë viteve 1939-1945,  mbetet për t’u parë nëse kjo është periudha më delikate që do të kërkojë më shumë punë e debat…

“Unë shqiptarët nuk i shoh të bashkuar as më herët. Nuk është thjesht periudha e luftës, kjo është një histori më e vjetër. Po të njohësh historinë e Shqipërisë, edhe më herët akoma, shikon që këto ndarje kanë ekzistuar edhe më herët por lufta i bëri më të thella, e sidomos më të thella i bëri akoma paslufta, ku lufta e klasave ishte në thelb ajo politika e vjetër, përca e sundo.

Në një pikë Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu bashkohen: të dy kishin qëllim krijimin e një shteti komb të pavarur. Por pavarësisht nga dhuna e retorika e egër staliniste, Hoxha nuk kishte zgjidhje tjetër vec të bëhej po aq nacionalist i zjarrtë sa edhe Zogu.

Fischer thotë se u takon forcave demokratike të përcaktojnë nëse nacionalizmi i ndërtuar mbi themelet e ngritura të Zogut dhe i frymëzuar më tej nga Enver Hoxha, do të bëhet një forcë pozitive ose negative në rajonin e Ballkanit.

Top Channel