Xhafa: Asnjë mëdyshje për Kodin Penal

02/03/2012 20:40

Nënkryetari socialist i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafa ka hedhur poshtë zërat se PS është përpjekur të pengojë miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

“Dua të qartësoj se s’ka pasur mëdyshje për të bllokuar Kodin Penal, ashtu sikurse nuk ka patur për kodet e tjera. Jemi të qartë se kemi angazhimin maksimal për të kontribuar në miratimin e ligjeve me tre të pestat”, ka deklaruar Xhafa.

Deputeti socialist ka hedhur gjithashtu deklaratat se gjithçka është miratuar në momentin e fundit. “Ajo që nuk ka pasur është se s’ka pasur asnjë vendimmarrje të minutës së fundit, por ka qenë një vendimmarrje e konsultuar”, ka thënë Xhafa.

Megjithëse kërkesa e saj, për cilësimin si vepër penale atë të falsifikimit të dokumentave zyrtare të statistikave, nuk u pranua nga mazhoranca, opozita dha konsensusin për miratimin Kodin Penal.

Në seancën parlamentare të së enjtes, pas shumë orë debatesh, depuetetët e mazhorancës dhe opozitës, me 126 vota pro, votuan ndryshimet në këtë kod.

Të dyja palët mbrojtën në Parlament qëndrimet e shprehura në komisionin e ligjeve për ndryshimin e nenit për dënimin me burg të zyrtarëve nëse ata falsifikojnë statistikat. Kjo kërkesë e socialistëve u komentua nga deputetët demokratë si një arsye për bllokimin e proçeseve integruese.

Top Channel