Afganistan, protestat në ditën e pestë

25/02/2012 12:40

Të paktën 3 protestues humbën jetën në Afganistan, në ditën e pestë të protestave, që pasojnë djegien e librave të Kuranit në bazën amerikane të Bagramit.

Situata më e rëndë u regjistrua në Kunduz, në veri të vendit, ku mbi 1.000 protestues rrethuan selinë e Kombeve të Bashkuara.

Dy protestues që po tentonin t’i vinin flakën dyqaneve dhe ndërtesave u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë. Disa persona të tjerë mbetën të plagosur.

Në provincën Logar, në jug të Kabulit, një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën pasi qindra vetë sulmuan komisariatin e policisë, me thirrjet “Vdekje Amerikës”.

Një protestë tjetër po zhvillohet në Mehterlam, ku në shënjestër të sulmit ishte zyra e guvernatorit të provincës. Policia ndërhyri dhe qëlloi me armë në ajër, duke shpërndarë turmën.

Të premten, të paktën 12 persona humbën jetën në të gjithë Afganistanin, ndërsa bilanci i të vrarëve prej nisjes së protestave ditën e martë ka arritur në 23 viktima.

Të premten, gjenerali amerikan John Allen i bëri thirrje ISAF, forcave ndërkombetare dhe popullit afgan, që të jenë të duruar dhe të garantohet që ngjarja të mos përsëritet më.

Edhe presidenti Barack Obama kërkoi ndjesë për djegien e librave të Kuranit, përmes një letre drejtuar presidentit afgan Hamid Karzai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA