Konçesionet, lehtësohen proçedurat

22/02/2012 00:00

Qeveria do të përqëndrojë të gjitha proçedurat për lejet konçesionare në Qendrën Kombëtare të Liçencimit.

“Ne kemi identifikuar të gjitha kërkesat për liçencimin për lidhjet në rrjet. Të gjithë konçesionarët duhet të regjistrohen në QKL, që do jetë insitucioni i vetëm ku do të aplikohet”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Nasip Naço.

Sipas qeverisë, paketa e re e lehtësirave shmang edhe lejet që duhet të jepen nga pushteti lokal. “Në listën prej 23 lejesh e liçencash që ne kemi identifikuar, 20 prej tyre kërkojnë që të aplikohet me afate të shkurtuara. Kërkesa e tyre do të quhet e miratuar dhe QKL-ja do të vazhdojë me proçedurat”, ka saktësuar Naço.

Një privat duhet të sigurojë 23 leje dhe liçenca të llojeve të ndryshme për marrjen e një konçesioni në energjetikë. Qeveria thotë se për 20 lloje liçencash do të zbatohet parimi i miratimit në heshtje, ku nëse një institucion nuk shprehet për një leje të caktuar brenda afatit, atëherë ajo quhet e miratuar.

Një tjetër ngërç qeveria pretendon se do t’i japë zgjidhje është edhe ai me pronat publike. Sipas një vendimi që pritet të kalojë në qeveri, pas kërkesës së privatit për ndërtimin e një hidrocentrali në një pronë publike, atëherë prona i kalon automatikisht në varësi Ministrisë së Ekonomisë, e cila jep lejen përkatëse.

Top Channel