Tryeza e PS për drejtësinë

17/02/2012 00:00

Një ditë pas miratimit nga Parlamenti me konsensus të ndryshimeve në Kodin Civil, socialistët bënë publike propozimet e tyre për amendimet në Kodin Penal.

Propozimet e socialistëve kërkojnë në radhë të parë ashpërsim të dënimeve për disa vepra penale ekzistuese në lidhje me zgjedhjet.

Socialistët propozojnë edhe amendime në lidhje me zbatimin e ligjit penal ndaj ministrave, duke argumentuar se përgjegjësia penale e ministrave për aktet e realizuara gjatë ushtrimit të detyrës së tyre parashikohet edhe në legjislacionin e vendeve të tjera.

Socialistët propozojnë një vepër të re penale për falsifikimin e statistikave zyrtare. Sipas socialistëve, në këtë mënyrë do të nxitet përgjegjësia për përgatitjen dhe publikimin e të dhënave statistikore. Dhe së fundi, socialistët propozojnë krimininalizimin e dhunës në familje.

“Unë besoj që të gjithë bashkë të biem dakord mbi parimin se sa dhe si kemi mundur të ndikojmë tek shoqëria shqiptare”, deklaroi deputetja Ermonela Felaj.

Ishte pikërisht zonja Felaj, relatore e Kodit Penal, e cila në komisioin e ligjeve bëri të ditur në komision qëndrimin e socialistëve kundër depenalizimit të shpifjes për gazetarët.

Ndërkohë që tërë profesioni priste që kjo nisme bipartizane 7-vjeçare të kurorëzohej më në fund me sukses dhe nga Kodi Penal shpifja të parashikohej vetëm në Kodin Civil, socialistët propozuan që shpifja të qëndrojë në Kodin Penal, por nga burg, siç është aktualisht, të dënohet vetëm me gjobë.

Kjo dhe propozimet e reja për Kodin Penal në mënyrë të përmbledhur do të dorëzohen nga socialistët të hënën në komisionin e ligjeve.

Top Channel