Islanda, gati të investojë borxhin

17/02/2012 21:55

Islanda është e sigurt për të investuar sërish, vlerëson agjencia e kreditimit “Fitch”, e cila ka vlerësuar normat e interesit të vendit nordik tre vjet pasi ekonomia e tij falimentoi në mënyrë spektakolare.

“Fitch” e ka ngritur Islandën me një notë, nga niveli BB+ në BBB-, duke treguar se borxhi i vendit tashmë është në “gjendje investimi”.

Ekonomia e Islandës pësoi një kolaps për shkak të një mali me borxhe në vitin 2008, duke detyruar Fondin Monetar Ndërkombëtar që t’i ofronte ndihma financiare për ta shpëtuar. Që atëherë, borxhet e fqinjve të vendit verior kanë përhapur një krizë ekonomike në mbarë eurozonën.

“Fitch” thotë se vendimi i saj reflekton progresin që është bërë në ripërtëritjen e stabilitetit makroekonomik, duke çuar përpara reformat dhe rindërtimin e besimit tek kreditorët.

Në vitin 2008, tre bankat kryesore të Islandës falimentuan për shkak të nivelit të lartë të borxhit të jashtëm, që në një moment ishte më i lartë se vetë ekonomia islandeze.

Por vlera e valutës lokale, Krona, u zhvlerësua qëllimisht nga autoritetet, gjë që bëri eksportet e saj më konkurruese në tregun evropian.

Gjithashtu, qeverisë së re nga viti 2009 iu lejua të merrte hua dhe të shpenzonte edhe për një vit, para se të niste shkurtimin e shpenzimeve.

Ky veprim bie ndesh me masat anti-krizë që i janë imponuar Greqisë, Portugalisë dhe Republikës Irlandeze që kur morën ndihmat respektive nga FMN. Të gjitha këto vende përdorin euron dhe për rrjedhojë nuk kanë valutë për të zhvlerësuar.

Top Channel