Greqia “zhyt” bankën më të madhe franceze

15/02/2012 16:10

BNP Paribas, banka më e madhe franceze e kuotuar në bursë, pësoi një rënie prej 50% të fitimeve të saj në periudhën tetor-dhjetor, për shkak të humbjeve të reja të shkaktuar nga kriza greke.

Në tremujorin e fundit të vitit, të ardhurat neto të bankës ishin prej vetëm 765 milionë eurosh, pasi 567 milionë euro të paguara në kredi për shtetin dhe firmat greke janë humbur ose zhvlerësuar.

Për vitin 2011, në total, fitimi neto llogaritet në rreth gjashtë miliardë euro, 22,9% më pak se një vit më parë dhe pothuajse e gjithë goditja është shkaktuar nga kriza greke.

Pavarësisht rënies së fortë në fitime, rezultatet e BNP Paribas ishin më të mira nga sa parashikonin analistët, ndërsa të ardhurat e përgjithshme të vitit u vlerësuan me 9,7 miliardë euro.

Paradoksalisht, aksionet e BNP u rritën me 7% në bursë, me investitorët të inkurajuar nga lajmet se banka arriti të grumbullojë kapitalet e reja të kërkuara përpara afatit të vendosur.

Top Channel