Francë, Sarkozy hap fushatën zgjedhore

15/02/2012 20:40

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, shpalli të hapur fushatën për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë në krye të “Elysee”,

Ndonëse kandidatura e Sarkozy nuk ka qenë kurrë në dyshim, ai bëri shpalljen e tij zyrtare në një intervistë të transmetuar të mërkurën, në kanalin francez “TF1”.

Rivali kryesor i 56-vjeçarit është kandidati i socialistëve, Francois Hollande, i cili duket i favorizuar në sondazhet parazgjedhore.

Me zgjedhjet të fiksuara në datën 22 prill, Sarkozy theksoi se vendimi për të rikandiduar ka “qenë serioz dhe jo automatik”.

“Vendosa të rikandidoj pasi besoj se jam në gjendje të paraqes platformën më të mirë për Francën në pesë vitet e ardhshme. Vendi ynë, Europa dhe bota kanë përjetuar në tre vitet e fundit një seri krizash të paprecedenta, prandaj moskërkimi i një mandati të dytë nga francezët, do të përbënte një braktisje të detyrave të mia”, vlerësoi Sarkozy.

Në intervistë, presidenti në fuqi veçoi rritjen ekonomike të Francë në semestrin e fundit të vitit të shkuar, e cila është më e lartë se e vendeve të tjera të Eurozonës.

“Ndonëse mbeten ende shumë njerëz të papunësuar, reformat tona kanë filluar të kenë një efekt”, theksoi Sarkozy, i cili e vlerësoi Hollande si një njeri të respektueshëm, por të fiksuar në kritikat pas tij dhe pa ide të qarta për të ardhmen e Francës.

Top Channel