Europa në acar, Rusia shkurton gazin

04/02/2012 09:00

Moti i acartë që ka përfshirë Evropën ka cuar në një shkurtim të furnizimeve me gazin rus për shumë vende, njoftojnë autoritetet.

Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian ka deklaruar se tetë vende kanë parë një reduktim të gazit për shkak të rritjes së ndjeshme të kërkesës në Rusi.

Zëdhënësja ka nënvizuar se situata nuk përbën një emergjencë, por po monitorohej nga autoritetet përgjegjëse për energjinë në BE.

Moti i ftohtë është konsideruar përgjegjës për vdekjen e rreth 160 personave, kryesisht në Evropën lindore, ku temperaturat kanë rënë nën -35 gradë Celsius.

Gjithashtu, temperatura të tilla kanë përfshirë edhe vende si Italia dhe Franca, ndërkohë që Britania është në paralajmërim për rënie dëbore gjatë fundjavës.

“Mund të konfirmoj se ka pasur një rënie të furnizimit me gaz në shtete të ndryshme anëtare si në Poloni, Sllovaki, Austri, Hungari, Bullgari, Rumani, Greqi dhe Itali. Megjithatë, nuk është një situatë emergjente”, ka deklaruar zëdhënësja Marlene Holzner.

Ndërsa korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se rënia e papritur e furnizimeve me gazin rus, që kalon përmes Ukrainës, po shkakton frikë për një përsëritje të krizës së vitit 2009, kur tensionet mes Moskës dhe Kievit cuan në ndërprerjen e furnizimeve për një pjesë të Evropës për rreth 2 javë.

Vende si Bullgaria, Serbia dhe Bosnja varen pothuajse tërësisht nga Ukraina. “Gazprom”, kompania ruse që ka monopolin e eksportit të gazit, deklaroi të premten se po furnizonte brenda të gjitha mundësive.

Top Channel