SHBA, nëna braktis dy fëmijët në rrugë

31/01/2012 00:00

Një grua është arrestuar në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
pasi akuzohet se braktisi dy vajzat e saj 5 dhe 3-vjecare në rrugë,
duke u dhënë në duar vetëm disa pelena.

Policia gjeti në rrugë vajzat e vogla, të cilat edhe pse ishin veshur trashë dukeshin shumë të tronditura, bën të ditur “New York Daily News”. Vajzat u gjetën në një rrugë rreth një milje e gjysme larg shtëpisë ku jetonin.

Fqinjët e 26-vjecares thanë për gazetën se Dalisha Adams, 26 vjec, shpesh u bërtiste vajzave të saj. Një grua që e njihte nënën që braktisi fëmijët tha:”Unë e dëgjoja shpesh t’u bërtiste vajzave duke u thene: mbylleni atë dreq goje. Një ditë e dëgjova t’i thoshte të voglës: Do të të godas në atë dreq fytyre!”.

Megjithatë të tjerë fqinjë thonë se fëmijët ishin të pastër dhe të veshur mirë, por nuk mungonin rastet kur Adams i tërhiqte me forcë nga krahet.

Vajza 5-vjecare Domini i tha “Daily News” se motra e saj e vogël quhej Dioni dhe ato jetonin në një shtëpi blu me lule, por nuk dinte të thontë adresën e saktë. “Mami na la në një trotuar dhe më pak iku…”.

Fëmijët nuk kishin asnjë shenjë abuzimi fizik, megjithatë kishin pësuar tronditje, për shkak se kishin mbetur vetëm.

Policia arriti të gjejë shtëpinë e Adams, por nuk e gjeti nënën që braktisi fëmijët aty. U deshën disa orë kërkime që të lokalizohej vendndodhja e gruas dhe më pas të kryhej arrestimi i saj.

Gjyshja e vajzave Bertha Davia tha se e gjithë sa kishte ndodhur ishte një keqkuptim dhe i kërkoi Shërbimit për Mbrojtjen e Fëmijëve që të kujdesej ajo për fëmijët.

Davia tha se shtëpia e saj ndodhej vetëm një bllok larg vendit ku Adams la vajzat dhe shprehu zemërimin e saj, që përse e bija nuk e kishte sinjalizuar që fëmijët kishin mbërritur në zonë.

Top Channel