Në Kroaci me patentën e thjeshtë

23/01/2012 00:00

Një vend që i hoqi vizat për shqiptarët vetëm pak kohë më parë, Kroacia
mund të vizitohet në vazhdim vetëm me patentat e vogla, pa qenë nevoja
për patentat ndërkombëtare.

Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë të presidentit kroat Ivo Josipovic, Kroacia dhe Shqipëria firmosën të hënën një marrëveshje mbi njohjen reciproke të lejeve të drejtimit. Pas takimit kokë më kokë të dy presidentëve dhe më pas mes dy delegacioneve, marrëveshja u firmos nga ministri i Punëve të Brendshme të Kroacisë dhe ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë. Që të hyjë në fuqi, kjo marrëveshje duhet të ratifikohet nga parlamentet respektive. Kroacia është një vend i rëndësishëm, anëtare bashkë me Shqipërinë në NATO. Të dielën kroatët miratuan me referendum anëtarësimin në Bashkimin Europian, që do të bëhet i mundur më 1 korrik 2013. Si e tillë, Kroacia paraqitet si një partner i vyer për Shqipërinë në rrugën drejt Brukselit.

“Republika e Kroacisë është e gatshme që me përvojën që ka në rrugën e integrimit euro-atlantik, ta ndihmojë Shqipërinë. Rruga jonë ka qenë shumë e vështirë. I hapëm luftë korrupsionit, i cili për fat të keq është ndoshta ende prezent, por në këtë aspekt Shqipëria do të ketë te Kroacia një mik të vërtetë”, tha Presidenti i Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviç.  

Por sa e mundshme është Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian këtë vit simbolik të 100 vjetorit të pavarësisë?

“Padyshim unë shpreh dëshirën dhe bëhem interpret i një aspirate të thellë të popullit shqiptar për të marrë statusin e vendit kandidat në vitin që ka një simbolikë të veçantë. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe e vërteta është që, ajo që shfaqet në komunikimin me politikanët është vetëm një pjesë e asaj pune të madhe që bëjnë ekspertët pikërisht për të plotësuar ato kritere të domosdoshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Unë besoj që pavarësisht problemeve që janë gjithmonë konstante në politikë, ka një rikthim tek bashkëpunimi parlamentar i partive politike parlamentare”, u shpreh presidenti Topi.

Në vijim Presidenti kroat u prit edhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryeministri Sali Berisha.

Top Channel