Berisha: Ina Rama bashkëpunoi me Edi Ramën

23/01/2012 00:00

Menjëherë pas lajmit për masën e arrestit shtëpiak, kryeministri Sali Berisha pezulloi nga detyra komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe komandoi në detyre nënkolonel Artan Hoxhën.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli akuzoi nga ana tjetër publikisht prokuroren e përgjithshme Ina Rama për hetim të njëanshëm dhe u shpreh se kryeministri kërkon një hetim gjithëpërfshirës.

“Kryeministri, duke respektuar vendimin e gjykatës, ka shkarkuar gjeneral Ndrea Prendin dhe ka emëruar në këtë detyrë Artan Hoxhën. Kryeministri qëndron i vendosur për hetimin e rrethanave të ngjarjes së 21 janarit, ku u vranë 4 qytetarë dhe shumë të tjerë u plagosën”, deklaroi Mëhilli.

Sipas saj, në prokurori janë prishur shumë prova për 21 janarin, ndërsa vetë kryeprokurorja Ina Rama ka bashkëpunuar me liderin e opozitës, Edi Rama.

“Prokurorja e përgjithshme jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë ndaj organizatorëve të protestës, por në prokurori janë zhdukur e fshirë prova e dëshmi të këtij hetimi. Deri më sot nuk ka asnjë të penalizuar nga organizatorët dhe janë të lirë të gjithë ata që kishin ardhur për të rrëzuar qeverinë”, theksoi zëdhënësja.

Arvizu: Hetimi i paanshëm, jo politik!

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu, i cili ishte prezent në konferencën e shtypit të kryeprokurores Rama, deklaroi mbështetjen e plotë për prokurorinë shqiptare në kryerjen e këtij hetimi.

Vetë prezenca e tij e tregonte këtë mbështetje, të cilën zoti Arvizu nuk ngurroi ta nënvizojë edhe me fjalë, sidomos pas sulmit të ardhur nga zyra e kryeministrit ndaj Prokurorisë së Përgjithshme.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara deklaroi prerë se hetimi është i paanshëm dhe hodhi poshtë akuzat politike ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.

“Nuk mendoj se ky hetim është i motivuar politikisht. Mendoj se është e qartë se mbështetja jonë ka qenë e qendrueshme dhe e sigurtë”, deklaroi Arvizu.

Sipas ambasadorit amerikan, qëndrimi i ambasadës që ai drejton do të jetë gjithmonë në favor të organit të prokurorisë dhe do të mbetet i tillë deri në fund të hetimeve.

“Për këtë arsye SHBA mirëpresin ato që ka thënë sot prokurorja e përgjithshme. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim zyrën e saj derisa vazhdohet me këtë hetim dhe dëshiroj të theksoj se ka qenë qëllimi im që hetimi të ketë qenë i pavarur dhe i pamotivuar politikisht”, theksoi Arvizu.

I pranishëm në konferencën për shtyp ishte edhe ambasadori danez, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian. 

Top Channel