AK: Skandali Imami në Maqedoni

22/01/2012 09:55

Aleanca “Kuq e Zi” e konsideroi si “skandaloz” faktin që flamuri shqiptar nuk ishte prezent gjatë të gjithë kohës në takimin e Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, me homologun maqedonas, Fatmir Besimi.

Në një deklaratë për shtyp, organizata lëshoi akuza të ashpra ndaj Ministrit, të konsideruar si një “turp kombëtar” për faktin që pranoi zhvillimin e takimit në ato kushte, ndërsa theksoi se kjo është shenja e radhës që të drejtat e shqiptarëve në vendin ku jetojnë 600-700 mijë bashkëkombas po nëpërkëmben.

”Në vizitën e Imamit në Shkup nuk kishte asnjë flamur kombëtar. Kjo është një përdhosje e qartë që i bëhet simboleve dhe vlerave të Shqipërisë”, u shpreh Aleanca.

”Qëndrimi i Ministrit tonë të Mbrojtjes, i cili vazhdoi bisedimet edhe pa prezencën e flamurit është i turpshëm dhe skandaloz. Megjithatë, për fat të keq, Tirana zyrtare gjithmonë ka bërë sehir dhe është gjunjëzuar në mënyrë skllavërore përballë shovinizmit të fqinjëve tanë”.

Reagimi i Aleancës Kuq e Zi vjen në javën kur në disa ndeshje sportive futbolli dhe hendbolli në Maqedoni, janë rikthyer koret raciste, si “dhoma gazi për shqiptarët”.

Në vëmendjen e “AK” nuk u harrua as qeveria maqedonase, e cila u konsiderua
”tendencioze” dhe ndjekëse e një linje të qartë “anti-shqiptare”.

Top Channel