Rama: Drejtësi për 21 janarin

20/01/2012 00:00

Një ditë përpara homazheve të përvjetorit të 21 janarit, Edi Rama deklaron për Top Channel se kjo ngjarje duhet të zbardhet e plotë. Rama u shpreh se ekzekutuesit dhe urdhëruesit e atyre që shkaktuan 4 viktima do të vihen deri në fund para drejtësisë. Rama komentoi edhe vendimin e Gjykatës së Lartë për Ilir Metën dhe publikimin e videos Prifti-Beqiri. Me zotin Rama bisedoi gazetari Marin Mema.

TCH: Me rastin e njëvjetorit të 21 janarit do t’i afroheni sërish kryeministrisë, a ka ndonjë lloj frike?

Rama: Frika nuk bën pjesë në fjalorin e shqetësimeve apo përgjegjësive tona, ndërkohë që ka një ndjenjë të lartë që homazhi për 4 dëshmorët të jetë një homazh që të shkruajë gjithë dinjitetin e një populli të tërë në përkujtimin e një masakre që nuk do të harrohet. Dhe gjithashtu, të kërkojë zbardhjen e plotë të kësaj masakre dhe ndëshkimin e autorëve e urdhëruesve të vrasjeve.

TCH: Kur themi frikë” ka të bëjë më tepër me mungesën e një apeli të qartë ndaj mbështetësve të opozitës për të marrë pjesë. A druheni se mos ky homazh del nga kontrolli? A do të jeni ju në krye të tij?

Rama: Nëse i referoheni ekspereincave të shkuara, kur në manifestimet popullore kemi qenë në komunikim intensiv me publikun dhe këtë herë jo, kjo vjen për faktin se ne po zhvillojmë një homazh dhe kemi ftuar gjithkënd të jetë pjesë e tij. Por është liria dhe e drejta e gjithëkujt që ta bëjë ose jo homazhin.

TCH: 21 janari ndodhi si pasojë e videos Meta-Prifti. Gjykata e Lartë ka dhënë një vendim që ka shpallur të pafajshëm Ilir Metën, a ka rënë argumenti juaj për drejtësinë?

Rama: Është forcuar argumenti se ka rënë drejtësia dhe për më tepër sot ne vazhdojmë të gjendemi para provash rënqethëse të rrëshqitjes së Shqipërisë drejt një regjimi që synon ta kthejë demokracinë në një formalitet dhe jetën e shqiptarëve në një mjedis të kontrolluar nga pushteti.

TCH: Dje u publikua një video që përfshin Dritan Priftin, cili është qëndrimi apo marrëdhënia e PS me zotin Prifti?

Rama: PS është e qartë dhe e prerë në qëndrimin e saj se përpara ligjit janë të gjithë të barabartë dhe se drejtësia duhet të funksionojë njësoj për të gjithë. Cilido që ka probleme me drejtësinë duhet të ballafaqohet me të. Për sa i takon zotit Prifti, ai është një deputet që ka dalë nga shumica me qëndrime dhe denoncime tronditëse, por nuk është as anëtar dhe as përfaqësues i PS. U them shqiptarëve se kemi hyrë në një proces përbaltjeje e shantazhesh të padenja, me një sfond mafioz, me qëllime mafioze për të garantuar me doemos pushtetin, duke ndërmarrë veprime të paligjshme. Ky proces për mua vetëm sa ka filluar dhe c’ka kemi parë deri tani janë përpjekjet për të përbaltur opozitën dhe për të trysnuar në maksimum shpirtin opozitar të këtij populli, duke dëshpëruar njerëzit me një pamje të errët, që do të vazhdojë dhe do të thellohet. E mbyll përgjigjen duke thënë se të gjithë, duke përfshirë zotin Prifti, si një protagonist i këtyre situatave tronditëse, duhet të bëjnë transparencë dhe t’i ballafaqojnë gjithcka dinë apo disponojnë me drejtësinë.

TCH: Ambasadori amerikan Alexander Arvizu, në emisionin “Top Story” tha se, FBI do sjellë fakte të reja për 21 janarin. Ju prisni të ketë ende një hetim për këtë ngjarje?

Rama: Ne do vijojmë të ngulmojmë për një hetim të thellë, të plotë  e të pavarur që të cojë në ndëshkimin ligjor të vrasësve dhe urdhëruesve. Përsa kohë në këtë proces është përfshirë një ekspertizë si ajo e SHBA, jam besimplotë se gjithcka do të shkojë drejt së vërtetës.

TCH:
Ka lindur një debat mes mazhorancës dhe nënkryetarit të KLD-së. Cili është pozicioni i PS për këtë komision hetimor?

Rama:
Komisioni është një farsë e radhës, si farsat me shumë komisione të tjera që ka ngritur qeveria dhe kryeministri i saj. Ne nuk kemi asnjë lidhje me këto farsa dhe nuk bëhemi pjesë e tyre.

Top Channel