“Bie shkalla e lirisë në Shqipëri”

19/01/2012 00:00

Zv/presidenti për Strategjinë dhe Analizën në “Freedom House”, Christopher Walker, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se vrasjet e 21 janarit dhe vështirësitë në luftën kundër korrupsionit, ishin ndër arsyet kryesore që ulën në renditje Shqiperinë, në raportin për indeksin e lirisë, 2011.

“Në raportin e këtij viti ne arritëm në përfundimin se Shqipëria ka pasur rënie dhe për disa arsye. Njëra prej tyre ishte dhuna në protestat e janarit 2011 që shkaktoi vdekjen e disa protestuesve. Po ashtu ne identifikuam vështirësi në luftën kundër korrupsionit, që është një sfidë në gjithë rajonin, por në Shqipëri e kemi hasur rregullisht në paaftësinë e sistemit për hartuar mekanizma të frytshme për të luftuar korrupsionin. Arritëm gjithashtu në përfundimin se zgjedhjet vendore të vitit të kaluar patën një numër të metash, gjë që kontribuoi tek prirja në rënie në Shqipëri”, tha Walker.

Walker renditi ndër problemet edhe pavarësinë e gjyqësorit dhe politizimit, cka sipas tij dëmtojnë hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Po të shohim vendet që kanë mundur të anëtarësohen në Bashkimin Europian, ato kanë pasur një përmirësim të vazhdueshëm. Të gjitha ndryshimet dhe të gjitha standardet që kërkon Bashkimi Europian për anëtarësim janë shumë të vështira. Mendoj se përsa kohë të ketë hëndeqe në drejtimet kryesore si shteti ligjor, paaftësia për të zgjidhur problemin e korrupsionit, të gjitha këto do të jenë pengesa në rrugën e anëtarësimit në BE”, vijoi Walker.

Raporti i “Freedom House” jep dhe shkaqet përse liria në Shqipëri është e pjesshme.

“Shqipërisë i është vendosur shigjeta e rënies së lirisë pas vrasjes së protestuesve të opozitës në muajin janar, polarizimi makanizmit elektoral që shoqëroi zgjedhjet lokale në maj dhe dështimi gjykatave në paanshmërinë gjatë një procesi korruptiv të një politikani të lartë në qeveri”.

Në raport nënvizohet se shumë prej problemeve i atribuohen politikës së personalizuar, ndaj, Ëalker është i mendimit që duhen gjendur mënyrat dhe mekanizmat që e kanë bazën më shumë tek institucionet dhe jo te personalitetet.

“Megjithatë për qytetarët e Shqipërisë dhe të tjerë të interesuar për vendin, që duan të shohin rezultate më pozitive në një atmosferë demokratike përgjegjësie dhe transparence, ku të ofrohen shanse për gjithë vendin, sigurisht do të kishte përfitime nëse punojnë për forcimin e këtyre institucioneve e jo duke u mbështetur te personalitetet individuale”, tha Walker.

Në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Shqipërinë renditen edhe Kosova, Bosnja dhe Maqedonia, kurse Serbia dhe Mali i Zi janë radhitur në kategorinë e vendeve të lira.

Top Channel