AK, kritika qeverisë për varrezat greke

19/01/2012 00:00

Aleanca Kuqezi ka nisur një tjetër betejë me qeverinë, atë për varrezat e
reja greke, vendimin për të cilat qeveria e mori pak ditë më parë.

Aleanca Kuqezi ka shprehur të enjten indinjatën e saj, pasi, siç thotë ajo, vendimi për varrezat është një tjetër kapriço që i plotësohet qeverisë greke.

“Vendimi i kryeministrit Berisha për varrezat greke u firmos 10 ditë më parë. Vendimi i kryeministrit është një haraç ndaj Athinës zyrtare”, ka deklaruar Aleanca.

Grupimi i drejtuar nga Kreshnik Spahiu ka kujtuar dënimin që gjykata i bëri pak ditë më parë kreut të Omonias, Naum Disho, për zhvarrimet, si dhe padrejtësitë e Greqisë ndaj popullit çam.

“Qeveria t’i kërkojë Athinës të drejtat për çamët. Greqia duhet të dëmshpërblejë viktimat e masakrave ndaj çamëve”, ka shtuar Aleanca.

Replikat mes AK dhe qeverisë vijnë në një moment kur tensioni mes tyre është më i lartë se kurrë, pasi mazhoranca miratoi të mërkurën vendimin për nisjen e proçedurave për shkarkimin e Kreshnik Spahiut nga posti i nënkryetarit të KLD-së.

Mazhoranca pretendon se Spahiu e ka kthyer këtë post në një bazë për krijimin e një partie të re, duke kryer lobime në Nju Jork, Londër, Romë, etj.

Nga ana e tij, Spahiu deklaroi po të mërkurën në komisionin parlamentar të ligjeve se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur këtë ndërhyrje, sipas tij joligjore, të qeverisë në sistemin e drejtësisë.

Top Channel