Gjatë miratimit në qeveri të kuadrit makroekonomik fiskal 2013-2015, kryeministri Sali Berisha nuk e ka fshehur se ka nisur të mendojë për fushatën elektorale në kërkim të një mandati të tretë.

Sipas kryeministrit, periudha 2013-2015 është përcaktuese për suksesin e këtij mandati të tretë, kur ai të marrë votëbesimin e shumicës së elektoratit.

“Natyrisht atë e përcaktojnë shqiptarët me votën e tyre, por po të kërkosh votën do të përgatitesh, do të përgatisësh ofertën tënde, projektin tënd dhe kjo me vepra konkrete dhe jo me fantazi bajate e boshe. Ky program parashikon rritje të mëtejshme ekonomike të Shqipërisë dhe këto dy vite janë vendimtare në mandatin që do të shndërrojë Shqipërinë në një vend të zhvilluar. Eshtë një program që bazohet në qindra e qindra shkolla të reja, qendra shëndetësore e spitale moderne, bazohet në finalizimin e një rrjeti rrugor për Shqipërinë, me një rritje të ndjeshme të rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Sipas kryeministrit, ky program mban Shqipërinë si vendin e barrës më të ulët fiskale në Europë, duke bërë sic tha ai, që shqiptarët të vazhdojnë të përfitojnë nga modeli i taksave të ulëta dhe të mos ndëshkohen nga programi i taksës progresive, të propozuar nga kreu i opozitës, Edi Rama, me qëllim, sipas kryeministrit për të frikësuar biznesmenët që nuk e sponsorizojnë më.

“Unë ju garantoj që zoti Rama këtë problemin e taksës progresive, nuk e ka për gjë tjetër veçse për atë grupin e biznesmenëve të tij, që tani nuk e sponsorizojnë më, që kur iku nga bashkia. Deri dje, sa ishte kryetar bashkie nuk e përmendi ndonjëherë taksen progresive. A pati ai ndonjëherë ndonjë program për bashkinë e Tiranës, a e dëgjuat ju ndonjëherë të thotë se do të rrisë taksat? Asnjëherë. Pra si përfundim politika e tij e taksave është furtunë në një gotë ujë, e cila më shumë kërkon të frikësojë një grup që s’mund ta kontrollojë më, sepse në fakt, ata e kanë kontrolluar gjithmonë atë, por përsëri ishte reciproke, ndërsa tani nuk kanë më ndonjë pasion për të”, theksoi Berisha.

Top Channel