Meta: Video për Ramën; “Fiksi”: E mirëpresim

18/01/2012 00:00

Vazhdon lufta politike me përgjimet. Ilir Meta e ftoi sot Edi Ramën në
një ballafaqim në emisionin ‘Fiks Fare’, ku, sipas tij, për hir të
transparencës duhet të transmetohen edhe video-regjistrime të tjera.

Meta paralajmeroi se avokati i tij Spartak Braho disponon një video, qe tregon se si Edi Rama i kërkon favore Prokurores se Përgjithshme.

“Nëse Edi Rama do vërtetë transparencë dhe është i interesuar që të ballafaqohet para gjithë shqiptarëve, para gjithë ndërkombëtarëve lidhur me atë që ai e quan ‘vdekja e drejtësisë’, duke filluar nga sot, nëse zoti Filip Cakuli na bën ndonjë favor se mund të ketë ndonjë program tjetër apo kur të dëshirojë në emisionin “Fiks Fare” me Sajmirin, me Doktorin, me Filipin bashkë me Edin të dalim para shqiptarëve dhe ai natyrisht le të ketë orë sa të dojë në dispozicion për të folur për të dhënë prova, për të dhënë fakte, për të dhënë video, për të dhënë audio, për të dhënë letra, dokumenta, për kapjen që mund t’i jetë bërë Gjykatës, Prokurorisë nga qeveria e nga kryeministri. Me lejen e Filipit unë vetëm dy minuta kohë dua për të transmetuar diçka në video dhe ne audio. Prokurori i përhershëm pavarësisht se është në detyrë apo është në pritje, zoti Braho ka diçka, e cila do të ishte tepër pozitive për hir të transparencës. Zoti Braho, si një prokuror i përhershëm, i cili nuk ka nevojë të paguhet për të qenë prokuror, ka ditë që kërkon edhe zonjën Rama që ta ndihmojë në këtë drejtim, pra që nga momenti, që ka përfunduar procesi ndaj zotit Meta. Të gjitha këto bëhen për hir të transparencës”, tha Meta.

“Fiks Fare”: Mirëpresim videon e Metës

Redaksia e emisionit “Fiks Fare” ka reaguar ndaj kërkesës së kryetarit të LSI-së, Ilir Meta për të transmetuar gjatë këtij programi një video ku ai pretendon se shfaqet kreu i PS, Edi Rama, në një aferë korruptive.

Redaksia e “Fiksit” është shprehur e hapur të presë videon e Ilir Metës dhe të cdokujt zyrtari tjetër që zotëron një video orgjinale.

“I themi zotit Meta, zotit Berisha, zotit Rama dhe kujtdo që disponon video të tilla, se ne jemi të hapur për të transmetuar cdo video orgjinale dhe jo të manipiluar, sic e kemi në praktikën tonë të punës dhe jo vetëm dy minuta sa kërkon zoti Meta, por edhe më shumë. Madje, është i ftuar të vijë mes nesh bashkë me videon për të cilën foli dhe të bëjë edhe komente”, thuhet në reagimin e “Fiks Fare”.

Top Channel