Kryeministri i Hungarisë dorëzohet në Strasburg

18/01/2012 20:00

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri tërheqjen e parë duke u garantuar europarlamentareve në Strasburg, se konflikti me Bashkimin Europian do të zgjidhet me shpejtësi.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi Komisioni Europian ndërmorri hapa ligjore kundër Budapestit sa i takon reformës në Bankës Qëndrore, sistemin gjyqësor dhe Autoritetin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Sipas Komisionit, ligjet hungareze vunë ne rrezik pavarësinë e këtyre organizmave. Zbutja e Orban është parë gjerësisht si një një përpjekje për të fituar paketën e ndihmës nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Hungaria po lufton me borxhet e saj dhe kërkon të arrijë një pakt të ri me BE dhe FMN, për një hua në vlerën e 20 miliardë eurove. Komisioni Europian paralajmëroi se negociatat per huatë nuk do të nisin derisa Budapesti të përmiresojë ligjin për Bankën Qëndrore.

Në fjalimin e shkurtër në Parlamentin Europian, Orban tha se është i angazhuar në “ristrukturimin e ideve themelore dhe me të rëndësishme e natyrisht”, sipas tij, “për këtë do të ketë debate”.

“Sot iu adresova përmes një letre, presidentit të Komisionit Europian, Zotit Barroso. i shpreha opinionin tim. i thashë se problemet e ngritura nga Komisioni do të zgjidhen dhe ndreqen lehtësisht”, u shpreh Orban nga foltorja e Strasburgut.

Presidenti i Komisionit Europian, Zhose Manuel Barroso tha se ka marrë, të mërkuren, një letër nga Orban, në të cilën ai kishte shprehur qëllimin për të modifikuar legjislacionin. Por, Barroso nuk hezitoi të ngrinte dhe njëherë tonet, për pasojat me të cilat mund të përballet Budapesti.

“Ne kemi dërguar tre letra zyrtare për të tërhequr zyrtarisht vëmendjen, të cilat kishin të bënin; me pavarësinë e Bankës Qëndrore, daljen në pension te gjykatësve dhe prokurorëve dhe Autoritetin e Mbrojtjes se te Dhënave. Komisioni ka kërkuar shpjegime të metëjshme që lidhen me pavarësine e gjyqësorit. Për këtë çështje ne presim sqarime shtesë nga autoritetet hungareze. Nëse nuk japin përgjigjen e duhur, Komisioni nuk do të hezitojë të ndërmarrë mekanizma të tjerë për këtë çështje shumë të rëndesishme”, u shpreh Barroso.

Një vit më parë, Orbani u kritikua ashpër nga europarlamentaret që kundërshtuan ligjin e tij për median, i konsideruar si autoritar. Ligji u kritikua nga Komisioni dhe me pas qeveria hungareze e përmirësoi atë.

“Jo, Hungaria nuk ka një regjim totalitar. Ka liri shtypit, njerëzit në Hungari kanë liri fjale dhe garantim të të drejtave. Por, ka përpjekje për t’i kufizuar dhe ne duhet të kundërshtojnë të gjitha përpjekjet e një partie në të gjithë nivelet e shoqërisë, në nivel social apo konstitucional apo vënien e të gjithë niveleve, nën kontrollin e një partie të vetme”, deklaroi folësi i Parlamentit Europian, Martin Schulz.

Partia e Orban, “Fidesz” ka shumicën me 2/3 në parlament, duke i dhënë me shume pushtet seç kanë patur qeveritë e meparshme, që prej rrëzimit të komunizmit në vitin 1989. Komisioni Europian i vendosi një muaj afat, kryeministrit hungarez për të ndryshuar ligjet. Nëse Budapesti nuk do të bindet, atehere masa e pare do të jetë vendosja e gjobave apo dergimi i çështjes në Gjykaten Europiane të Drejtësise.

Top Channel