Prifti rishfaqet të mërkurën në media

17/01/2012 00:00

Reagimet pas shpalljes së verdiktit të Gjykatës së Lartë për procesin
gjyqësor ndaj kreut të LSI-së, në ditët e ardhme priten të jenë të
shumta.

Sipas të gjitha gjasave, në këto reagime interes të veçantë paraqet deklarimi i dëshmitarit kryesor të çështjes, deputeti Prifti, ish-ministri që e denoncoi publikisht dhe në Prokurori ish-zëvendëskryeministrin Meta për korrupsion.

Burime mediatike bëjnë të ditur për “Shqip” se, ish-ministri i METE-s, Dritan Prifti pritet të dalë nesër në media për t’u prononcuar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës supreme. Ndërkohë që po përmes mediave, ai ka paralajmëruar se këtë proces zoti Meta mund ta mbyllë, por prova të tjera do të publikohen prej tij. Dritan Prifti ka mbrojtur vërtetësinë e videos, duke paralajmëruar publikimin e materialeve të tjera që vërtetojnë afera korruptive sipas tij. Sidoqoftë, kjo “odise” tronditëse në skenën politike të vendit ka tronditur si asnjë proces i mëparshëm, raportet dhe besueshmërinë publike të drejtësisë ndaj politikës. Zoti Meta është politikani më i lartë shqiptar, pas ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili përjetoi statusin e të pandehurit gjatë këtyre 20 vjetëve.

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti ka bërë pak kohë më parë disa deklarata tronditëse sa i takon përfshirjes së qeveritarëve dhe njerëzve afër tyre në afera korruptive. Prifti theksoi se, “kam rreth 60 video të tjera korrupsioni, ku të përfshirë janë njerëzit e Berishës dhe të Ilir Metës”. Ish-ministri i Ekonomisë theksoi se në videon e tretë, që mendohet ta publikojë, paraqitet një njeri pranë Kryeministrit që shfaqet duke kërkuar favore të paligjshme në këmbim të shumave financiare. Ai tha se personi në fjalë ka qenë interesuar për dy sektorë të Ministrisë së Ekonomisë. Duke i konsideruar si “mafie”, Prifti theksoi atëherë se ndihej i kërcënuar dhe në rrezik nga personat e regjistruar, të cilët i bëjnë presion për të mos dëshmuar. Prifti deklaroi atëherë se për të gjitha pazaret e njerëzve me pushtet ka vënë dijeni Berishën, por ky i fundit ka heshtur.

Top Channel