Norvegjia rishqyrton marrëdhëniet me BE-në

17/01/2012 16:05

Lidhjet e Norvegjisë me Bashkimin Europian janë aq të thella dhe të ngushta, sa që ajo është shndërruar praktikisht në një antare të BE-së pa e dashur këtë, ishte përfundimi i një raporti qeveritar të publikuar të martën.

Në një analizë të antarësimit të Oslos në Zonën Ekonomike Europiane, shkruhej se do të ishte një “iluzion” konsiderimi i Norvegjisë si një vend jashtë Unionit.

”Ne jemi pothuajse po aq të integruar sa Britania e Madhe”, shkruante hartuesi i këtij raporti, presidenti i komitetit qeveritar, profesori Fredrik Sejersted. Antarësimi në ZEE i ka shërbyer Norvegjisë që të fitojë një trajtim të njëjtë ekonomik dhe doganor si ai i vendeve të tjera që formojnë bashkimin prej 27 shtetesh.

Në të shkuarën, norvegjezët e kanë refuzuar dy herë antarësimin në BE në dy referendume të ndryshme, duke pranuar vetëm integrimin në zonën e përbashkët ekonomike. Një qëndrim të tillë ka mbajtur edhe Islanda e Lihtenshteini.

Në sondazhin e fundit të kryer vlerësohej se 76% e norvegjezëve duan që vendi i tyre të mbetet jashtë BE-së. Megjithatë, sipas Sejersted, është e qartë që vendi ka nevojë që të përcaktojë më mirë identitetin e tij.

Në raportin prej 20 faqesh, lexohej konstatimi se “ndërsa impakti ekonomik i të qënit antar i ZEE-së është i madh dhe pozitiv, është e pashmangshme të konstatohet një defiçit i madh demokratik, pasi shteti ka vepruar kundër vullnetit të shtetasve të tij, duke forcuar lidhje që norvegjezët nuk i duan. Lidhjet e ngushtra me BE-në e kanë bërë të qartë nevojën e përcaktimit të një identiteti të ri, pasi vendi është i varur dukshëm politikisht prej bllokut”.

Norvegjia, një shtet me pesë milion banorë, është prodhuesja e pestë më e madhe e naftës në botë, si eksportuese e 2,5 milion fuçive në ditë, nga fushat naftëmbajtëse që ndodhen në territorin e saj në Detin e Veriut. Së bashku me Luksemburgun, Norvegjia ka standartin më të lartë të jetesës në botë.

Top Channel