“21 janari”, familjarët letër Arvizut

17/01/2012 00:00

Në vigjilje të 1-vjetorit te ngjarjes se rende te 21 Janarit, familjarët e
katër viktimave i drejtohen me një letër ambasadorit të SHBA në Tiranë
Alexandër Arvizu.

Në këtë letër, kopje të cilës e ka siguruar Top Channel, kërkohet ndihmë që urdhëruesit dhe ekzekutuesit e Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt të përballen me drejtësinë.

Letra nis me këto fjalë: “Dhimbjen tonë të madhe do ta zbuste sadopak zbardhja e krimit, nxjerrja para drejtësisë e atyre që urdhëruan dhe realizuan këto vrasje të tmerrshme. Por drejtësia nuk ka dhënë akoma asnjë përgjigje, edhe pse pas pak ditësh mbushet plot nje vit nga dita e tragjedisë. Kjo e dyfishon dhimbjen tonë. Këtë njëvjetor ne e kemi më të vështirë të shkojmë te varret e tyre se sa ditën kur i varrosëm. Sepse edhe ata nuk do të gjejnë prehje pa u bërë drejtësia”.

Duke shprehur mirnjohjen për SHBA në ndihmën e dhënë prokurorisë në zbardhjen e kësaj ngjarje familjarët e katër viktimave të 21 Janarit i luten ambasadorit Arvizu për nxitjen dhe vijimin e mbështjes së organit të akuzës për të shkuar drejt gjykimit të fajtorëve.

“Filmimet e të gjitha mediave televizive të pranishme në bulevard me 21 Janar kanë treguar se armët e zjarrit nga Garda e Republikës u përdorën kur demostrata po shpërndahej. Nuk ka patur dhe nuk ka nevojë për asnjë hetim të stërholluar për të provuar se me 21 Janar 2011 forcat e komanduara nga kryeministri Sali Berisha nuk shpëtuan asnjë jetë por morën jetë”, thuhet në letër.

Në këtë letër familjarët e 4 viktimave të 21 Janarit i përcjellin ambasadorit Arvizu shqetësimin e tyre për deklaratat e përsëritura të kryeministrit Berisha dhe disa ministrave, se atë ditë u zbarua ligji.

“Pabesia e madhe në vrasjet e 21 janarit është se njerëzit janë vrarë si në diktaturë duke menduar se janë në demokraci. Përsëritja pas një viti e të njëjtit qëndrimi cinik nga kryeministri dhe anëtarët e qeverisë së tij tregon mungesë të plotë reflektimi dhe pendese. Por mburrja me përdorimin e armëve të zjarrit kundër civilëve të thjeshtë është në vazhdën e presioneve të qeverisë për intimidimin, devijimin dhe mundësisht bllokimin hetimi të vrasjeve”, thuhet me tej.

Në fund të kësaj letre familjarët e katër viktimave shkruajnë se: “Nuk do të ketë paqe dhe qetësi të vërtetë në shqipëri pa u bërë drejtësia për vrasjet e 21 Janarit. Drejtësia për 21 janarin është më shumë se një cështje personale e jona. Është një cështje e funksionit ose jo të shtetit ligjor në Shqipëri”.

Në kujtim të 21 janarit

Një vit nga vrasja e 4 protestuesve në 21 janar para kryeministrisë, Partia Socialiste ka vendosur të organizojë në bulevardin Dëshmorët e Kombit një homazh në përkujtim të Ziver Veizit, Aleks Nikës, Kujtim Myrtajt dhe Hekuran Dedës.

Ky ka qenë vendimi që është marrë pas takimit të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe sekretarëve të partisë në një takim ku është diskutuar kalendari i punës.

Homazhi që do të organizohet më 21 janar pritet, të paktën për nga forma, të jetë i ngjashëm me atë të organizuar nga opozita më 28 janar 2011.

Në homazhe pritet të marrin pjesë opozitarë jo vetëm nga kryeqyteti, por nga e gjithë Shqipëria. Ndërkohë që krerë të Partisë Socialiste pritet të shkojnë edhe në shtëpitë e viktimave në respekt të ceremonive private që ato do të organizojnë.

Ina Rama: “Presim ekspertizën e FBI-së

Prokurorja e përgjithshme Ina Rama deklaroi të hënën se rrjedha e hetimeve për 21 janarin varet nga ekspertiza që pritet të mbërrijë nga zyrat e FBI-së.

Kryeprokurorja tha se përgjigjja e ekspertizave do të jetë vendimtare për hetimin dhe se po hetohet edhe për pjesën e skanerit, i dërguar në Amerikë pas dyshimeve se aty është ndërhyrë për të fshirë pamjet filmike.

Top Channel