SHBA, Huntsman tërhiqet nga gara për president

16/01/2012 18:15

Kandidati republikan për President i SHBA-ve, Jon Huntsman, lajmëroi pasditen e së hënës tërheqjen e tij nga gara për të sfiduar Barack Obaman, në zgjedhjet presidenciale të tetorit.

Huntsman u rendit i treti në garën e javës së shkuar në shtetin e Nju Hempshajërit, por sipas sondazheve, përballej me një mbështjetje tepër të ulët në shtetin e Karolinës së Jugut, ku do të mbahet raundi i ardhshëm zgjedhor.

Nju Hempshajëri konsiderohej si një pikë e fortë për ish-ambasadorin amerikan në Kinë dhe guvernatorin e Jutahut, por ai arriti të grumbullonte vetëm 17% të votave të delegatëve republikanë.

“Kjo garë po perqendrohet gjithmone e me shume ne sulmet personale dhe goditjet pas shpine. Une kam premtuar qe nuk do te perdor menyra te ulta per te fituar dhe do ta permbush kete premtim duke mos u bere pjese e kesaj loje”, deklaroi Huntsman, ndersa shpalli terheqjen.

Megjithate, ai i bëri thirrje mbështetësve të tij që të votojnë tashmë Mitt Romney, gjithmonë e më shumë favorit për të fituar garën.

Karolina e Jugut do të jetë shteti i radhës ku do të mbahen zgjedhje, të cilat zhvillohen midis të gjitha shteteve, deri në përcaktimin e një kandidati që do të vendoset në fushatën zgjedhore përballë presidentit aktual, Barack Obama.

Nëse gara do të vazhdojë deri në shtetin e fundit, atëherë kandidati zyrtar do të përcaktohet vetëm në fund të gushtit, ndërsa zgjedhjet presidenciale mbahen në tetor. Gara për zgjedhjen e kandidatit që do të sfidojë presidentin përfundon kur dikush siguron matematikisht suksesin ose kur të gjithë kandidatët, përveç njërit, tërhiqen nga gara.

Top Channel