Liban, shembet godina 5-katëshe, viktima

16/01/2012 16:25

Të paktën 19 persona kanë mbetur të vdekur, kur një godinë pesë-katëshe u shemb papritmas të hënën në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.

Operacioni i shpëtimit ka nisur për të kërkuar 16 persona të tjerë, që besohen se janë të gjallë ose të vdekur midis rrënojave. 12 persona janë gjetur të plagosur dhe janë shoqëruar në spital.

Shumica e viktimave janë shtetas të huaj që jetonin si emigrantë në Liban. Shtetas sudanezë, filipinezë dhe egjiptianë janë konfirmuar midis të vdekurve. Nuk është ende e qartë arsyeja e kësaj shembjeje të befasishme, në një kohë kur asnjë lëkundje toke nuk u regjistrua në zonë.

Megjithatë, banorët vendas dëshmojnë se ndërtesa kishte shumë plasaritje. Ata besojnë se shiu përkeqësoi situatën ose se themelet e godinës mund të jenë cënuar nga disa ndërtime që po realizohen pranë saj.

Forcat e shpëtimit po përdorin buldozerë për të lëvizur masat e mëdha të betonit, edhe pse shumica e punës bëhet me dorë, nga frika se mund të lëndohen të mbijetuar të mundshëm. Megjithatë, shpresa e gjetjes së personave të gjallë në rënoja është shumë e ulët.

”Deri tani, 19 trupa janë gjetur në rënoja dhe po kërkojmë për 16 të tjerë”, u shpeh gjenerali Raymond Khattar, shefi i departamentit të mbrojtjes civile në Liban.

Top Channel