Hungari, kortezhi kundër BE-së

15/01/2012 09:25

Me mijëra persona u grumbulluan deri në orët e para të mëngjesit në Budapest, në një protestë paqësore që kërkonte daljen e vendit nga Bashkimi Europian.

Gjatë manifestimit, të udhëhequr nga partia “Jobbik” e ekstremit të djathtë, dy deputetë i vunë flakën flamurit europian përpara selisë së përfaqësisë së BE-së.

”Këtë javë, Bashkimi Europian i deklaroi luftë Hungarisë dhe ne tani vetëm po u përgjigjemi atyre”, deklaroi një deputet, duke iu referuar deklaratës paralajmëruese të Brukselit, se pa reforma mund të bllokohen fondet financiare të zhvillimit për Budapestin.

Hungaria është vendosur vazhdimisht së fundmi në qendër të vëmendjes, për shkak të politikave gjerësisht të kritikuara të Kryeministrit Orban. Midis ligjeve më të diskutuara, përfshihen ai për censurën e medias dhe Bankën Qëndore, që janë kthyer mbrapsht me këmbënguljen e Unionit.

Hungaria përballet aktualisht me një krizë të fortë ekonomike dhe një inflacion galopant të monedhës forint. Më parë gjatë janarit, Budapesti kërkoi nisjen e bisedimeve me BE-në dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për një hua madhore.

Top Channel