Sonda ruse, rënie të lirë në Tokë

14/01/2012 10:25

Sonda ruse që nuk arriti dot në planetin Mars, “Phobos-Grunt”, do të bjerë në tokë sipas të gjitha gjasave ditën e diel.

Sonda ka humbur kuotë në ditët e fundit dhe shumë shpejt do të tërhiqet brenda atmosferës ku dhe do të shkatërrohet.

“Phobos-Grunt” peshonte rreth 13 tonelata kur u lëshua në hapësirë, por vetëm një masë e vogël e saj do të arrijë në sipërfaqe.

Agjencia ruse e hapësirës, Roscosmos, vlerëson se ndoshta vetëm 200 kilogramë do t’i mbijetojnë rënies së lirë.

Ekspertët thonë se ka shumë pasiguri në parashikimin e proceseve të khimit në Tokë dhe se aktualisht nuk është e mundur të parashikohet me saktësi se kur ose ku në Tokë do të bjerë objekti.

“Faktori që shkakton më shumë pasiguri është dendësia e atmosferës që sonda do të hasë në orbitë, por edhe për shkak të orientimit të mjetit teksa është duke rënë”, sqaroi profesori Richard Croëther, inxhinier në Agjencinë Hapësinore Britanike.

“Nëse ajo bie me shpejtësi dhe pjesët e saj coptohen, atëherë ndryshon komplet trajektorja dhe nuk mund të përcaktohet se ku mund të ndodhë impakti”, ka shtuar inxhinieri.

Kjo është sonda e tretë e rëndësishme që kthehet në Tokë brenda katër muajve, pas kthimit në shtator të satelitit amerikan “UARS” dhe teleskopit gjerman “Rosat” në tetor.

Të dy objektet u rrëzuan në oqean. Duke pasur parasysh sipërfaqen e madhe të ujit në Tokë, ka shumë mundësi që edhe “Phobos-Grunt” të ketë të njëjtin fat.

Top Channel