Protesta anti-komuniste, Topalli në Shkodër

14/01/2012 19:10

Kur studentët u ngritën kundër regjimit komunist në 8 dhjetorin e 1990-s, në Shkodër kishte 11 muaj që ishte zhvilluar protesta e parë anti-komuniste.

Një protestë e heshtur e qytetarëve shkodranë, më të persekutuarit e regjimit, për të rrëzuar bustin e Stalinit. Një protestë e cila u përcoll me lajme, natyrisht jo në Shqiperi, por nga agjensitë dhe televizionet më prestigjioze të botës, Reuters, BBC, Zëri i Amerikës dhe RAI.

22 vjet pas kësaj ngjarje, e cila, atëherë u pasua me arrestimin dhe troturimin e organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë, shkodranët dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke nderuar organizatorët e kësaj proteste, vunë në dukje domosdoshmërinë e nxjerrjes në pah të të vërtetave të historisë së shqiptarëve.

“Ne duhet të bëjmë historinë dhe të themi të vërtetat ashtu sic janë. Lëvizja e parë anti-komuniste në Shqipëri, në fakt është pikërisht kjo e 11 janarit, e finalizuar në 14 janar jetonte me ata që guxuan të qëllonin mbi bustin e Stalinit”, deklaroi zonja Topalli.

Përpara se të merrte pjesë në këtë ceremoni homazh për qendresën anti-komuniste shkodrane, zonja Topalli ishte edhe në Pukë, ku bashkë me demokratët kanë kremtuar 21-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.

Duke u përcjellë pukjanëve mirënjohjen edhe në emër të kryeministrit Sali Berisha, nënkryetarja e Partisë Demorkatike, i dha zotit Berisha të gjitha meritat për atë që e quajti ndryshim rrënjësor të vendit për mëkëmbjen ekonomike dhe mirëqënien e shqiptarëve.

Top Channel