Franca shpërfill zhvlerësimin e “S&P”

14/01/2012 14:45

Kryeministri francez Francois Fillon ka mbrojtur politikat ekonomike të ndërmarra nga qeveria e tij, pas vendimit e agjencisë “Standard and Poor’s” për të zhvlerësuar Francën.

Fillon deklaroi se qeveria e tij do të vazhdojë të punojë për implementimin e reformave dhe reduktimin e borxhit.

“S&P” deklaroi se vetëm masat anti-krizë të Evropës dhe disiplinimi i buxhetit nuk ishin të mjaftueshme për të luftuar krizën e borxhit dhe mund të kthehen në një bumerang.

Qeveria franceze është në një fushatë komunikimi për t’u treguar francezëve se nuk ka vend për panik dhe se politikat reformuese për reduktimin e borxhit do të vazhdojnë.

Zoti Fillon tha në një konferencë për shtyp se nëse Franca ndodhej në “vijën e zjarrit”, ishte para së gjithash për shkak të ekspozimit të saj ndaj krizës në eurozonë.

“Ky vendim përbën një alarm që nuk duhet të dramatizohet më shumë se c’duhet të nënvlerësohet”, u shpreh Fillon, pas zhvlerësimit nga “AAA” në “AA+” që u njoftua vonë gjatë së premtes.

“Ky vendim ishte i pritshëm, edhe pse dikush mund të thotë se erdhi në momentin e gabuar, duke parë përpjekjet e eurozonës, të cilat po i shohin investitorët”, shtoi ai.

Sipas kreut të qeverisë, zhvlerësimi i agjencisë “S&P” nuk vuri në shënjestër politikat e qeverisë dhe as ato politika ekonomike që duhet të vazhdojnë, me qëllim shkurtimin e shpenzimeve dhe kthimin e borxhit në nivelin normal brenda vitit 2016.

Agjencia e vlerësimit të kreditimit, përvec Francës, vendosi të zhvlerësojë edhe Austrinë, ndërkohë që paralajmëroi Italinë dhe kurseu Gjermaninë, e cila do të vazhdojë të qendrojë me “AAA”.

Top Channel