S&P, drejt zhvlerësimit të Francës e Austrisë

13/01/2012 00:00

Agjencia e vlerësimit të kreditit, Standard’s & Poor ka vendosur të zhvlerësojë Francën dhe Austrinë, dy vendet e zonës euro që aktualisht kanë vlerësimin AAA dhe ka paralajmëruar Italinë. Ndërkohë, është kursyer Gjermania, e cila do të vazhdojë të qendrojë me 3 A.

Lajmi për zhvlerësimin e Francës është pohuar edhe nga vetë Ministri francez i Financave, Francois Barion. Në një intervistë për televizionin France 2, Barion tha se Standard’s and Poor ka vendosur uljen me një gradë, duke e rivlerësuar Francën nga AAA që është aktualisht, në AA+. Megjithatë, lajmi për zhvlerësimin e Francës nga S&P ende nuk është zyrtarizuar nga vetë agjencia e vlerësimit të borxhit.

S&P pritet të ulë vlerësimin e dy vendeve, një vendim që është kritikuar fort nga Franca. Këshilltari i presidentit francez, Alain Minc sulmoi agjencinë duke e quajtur vendimin e saj, nëse do të ndërmerret, si një vendim “perversësh”.

“Të marrësh një vendim të tillë në javën kur tregjet europiane treguan qendrueshmëri dhe performancën më të mirë këto muajt e fundit, ashtu sikundër nënvizoi edhe presidenti i Bankë Qendrore Europiane, Mario Draghi, është një sjellje perverse. Nëse lajmi është i vërtetë atëherë kemi të bëjmë me vendimi që i hedh benzinë zjarrit”, deklaroi këshilltari Minc.

Në fakt lajmi për zhvlerësimin e mundshëm të Francës dhe Austrisë dhe të vendosjes nën mbikqyrje të Italisë nga ana e S&P  ka tronditur bursat europiane. Milano regjistroi humbje prej 2.3 përqind, po ashtu me humbje u mbyllën edhe bursa të tjera europiane.

Top Channel