Skandali i marinsave amerikanë

13/01/2012 00:30

Një episod për të ardhur keq. Sekretari amerikan i mbrojtjes Leon Panetta jo vetëm e dënoi ashpër videon që tregon marinsa amerikanë teksa urinojnë mbi trupat e pajetë të talebanëve të vrarë, por premtoi hetim të plotë mbi këtë incident dhe ndëshkim të personave pjesëmarrës. 

“Kjo sjellje është absolutisht për të ardhur keq. Një qëndrim krejtësisht i pavend për pjesëtarët e ushtrisë amerikane. Ushtarët e përfshirë do të mbajnë përgjegjësi për veprimin e tyre”, tha Panetta.

Videoja e publikuar online, tregon katër marinsa në këmbë mbi disa trupa të pajetë, për të cilët thuhet se janë luftëtarë talebanë. Të paktën një nga kufomat është e mbuluar në gjak. Marinsat urinojnë mbi të vdekurit e njëri dëgjohet të thotë me tallje: Kalofsh një ditë të mirë, shoku!

Dy prej ushtarëve janë identifikuar tashmë, ndërsa origjina e videos së shfaqur në YouTube, ende nuk është mësuar. “Të tilla veprime janë të pafalshme, tha Panetta.  

Të njëjtin këndvështrim me të ndau dhe sekretarja e shtetit, Hillary Clinton, ndërsa incidentin e dënoi ashpër dhe Nato-ja.

 “Këto pamje janë të neveritshme, ndaj reagimi i menjëhershëm logjikisht është të kërkohen përgjegjësit. Shtetet e Bashkuara kanë nisur një hetim, që do të ketë mbështetjen e plotë të ISAF-it”, tha Carsten Jacobsen, ISAF.  

Reagimi i Afganistanit ishte zemërimi i presidentit Hamid Karzai, i cili e quajti episodin “krejtësisht c’njerëzor`”. Ministria afgane e mbrojtes e përshkroi si shokues, ndërsa talebanët nxorrën dhe ata një deklaratë ku i akuzojnë forcat amerikane për keqtrajtime e fyerje të panumërta ndaj popullit afgan.

Ushtria amerikane ka rreth 20 mijë marinsë në Afganistan, të vendosur kryesisht në provincen e Kandaharit dhe atë të Helmandit. Në terren në Afganistan ndodhen gjithsej rreth 90 mijë ushtarë amerikane.

Incidenti e vë në pozitë të vështirë administratën e Shteteve të Bashkuara që është zotuar të projektojë një imazh më të ndjeshëm të pushtetit ushtarak amerikan ndërsa planifikon tërheqjen e trupave nga Afganistani deri në fundin e 2014-ës.

Top Channel