Rusia: Veto kundër sanksioneve për Iranin

13/01/2012 09:20

Rusia paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar se nuk do të pranojë sanksione të reja kundër Iranit dhe se do të rrëzojë çdo nismë të ndërmarrë në këtë drejtim nëpërmjet të drejtës së vetos, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore besojnë se vendi i madh aziatik është duke zhvilluar armë bërthamore, por Teherani i kundërshton këto thënie, me pretendimin se është i interesuar vetëm për të përdorur këtë formë të energjisë për arsye civile.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka miratuar deri tani gjashtë seri sanksionesh ndaj Iranit, por Moska ka të qartë që nuk do të votojë më asnjë masë të re shtrënguese.

“Rusia është kundër çdo veprimi të ri që mund të merret në dëm të interesave të Iranit, duke nisur nga sanksionet dhe deri tek agresioni ushtarak”, u shpreh Zv.Ministri i Punëve të Jashtme, Gannady Gatilov. “Çdo tentativë në këtë drejtim, do të interpretohet prej Rusisë si një përpjekje e njëanshme për të ndryshuar regjimin”.

Në ditët e shkuara, u zbulua se Irani ka nisur procesin e pasurimit të uraniumit në reaktorët bërthamorë të Fordovit, fakt që ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet midis Iranit dhe SHBA-së.

Teherani akuzoi drejtëpërsëdrejti shërbimet sekrete amerikane dhe izraelite për vrasjen e një shkencëtari bërthamor nëpërmjet një atentati të sofistikuar në Teheran, më parë gjatë javës.

Ndërkohë, ish-kreu i Shërbimeve Sekrete Ruse, paralajmëroi të enjten për një luftë të afërt midis SHBA-së dhe Iranit.

Top Channel