Negociatat për kredinë shtese e Bankës Botërore duket se do të jenë të
vështira. Pika më e debatuar e negociatateve lidhet me mënyrën e
menaxhimit të financave publike nga qeveria.

Banka kërkon që borxhi publik të ulet më shpejt nga programi zyrtar i qeverisë, por kjo do impononte shkurtimin e shpenzimeve për projektet e infrastrukturës. Ministri i Financave duke folur për herë të parë për këto negociata tha se qeveria nuk do të pranojë çdo kusht.

“Ministria e Financave eshte ne pune, merret me të gjitha me Bankën Botërore, me Bankën e Zhvillimit me Bankën e Shqipërisë me ministrite e tjera dhe gjithçka tjetër, por të jeni të bindur që në të gjithë aktivitet të përditshëm ne udhëhiqemi nga interesi publik, nga interesi i ekonomisë shqiptare. Gjithçka që do te jetë me interes publik për vendin ne do ta materializojmë, gjithçka që ne do ta konsiderojmë të papërshtatshme ekonomisht për vendin, sigurisht që nuk do ta pranojmë”, tha Bode.

Por qeveria këtë vit nuk do të përballet vetëm me presionin për të shkurtuar investimet, por edhe me shpenzimet shtesë që duhet të përballojë për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë. Megjithëse të enjten Komiteti Ndërministror diskutoi ide dhe projekte voluminoze, zoti Bode thotë se do të ketë një kufi.

“Në Fondin Rezervë të Këshillit të Ministrave ne e kemi programuar një shumë që do të alokohet për këto festime, pra nuk do të kalojë një fature ekstra, por do të jenë të alokuara dhe të akomoduara në përputhje me këtë program që kemi në buxhet’, theksoi Bode.

Ministri i Financave paraqiti në daljen e parë publike për këtë vit rezultatet financiare të qeverisë për 2011-ën. Ai tha se qeveria arriti të respektojë të gjithë treguesit financiarë të vendosur nga Kuvendi. Në mënyrë të vecantë zoti Bode tha se qeveria ka mundur të ulë shpenzimet për interesat e borxhit në 3.1 për qind të Prodhimit Kombëtar në kushtet e një viti të vështirë.      
 

Top Channel