Itali, jo referendumit për kodin zgjedhor

13/01/2012 10:00

Gjykata e Lartë në Itali hodhi poshtë kërkesën për një referendum mbi ligjin zgjedhor, i cili do të kthente mbrapsht ndryshimet e kryera nga qeveria e Berlusconit.

Gjykata nuk dha një shpjegim të menjëhershëm për refuzimin e saj, edhe pse nisma për të kthyer pas këto ndryshime kishte grumbulluar më shumë se dyfishin e firmave të nevojshme popullore për thirrjen e refendumit.

Gjykatësit kanë 20 ditë kohë për të shpjeguar se përse nuk po lejojnë referendumin mbi një ligj që është gjerësisht jopopullor.

Ndryshimi i bërë nga ish-Kryeministri Berlusconi ka hequr mundësinë që të votohet për emrin e kandidatit, duke i ofruar zgjedhësve vetëm mundësinë që të zgjedhin midis partive konkurrente.

Siç shkruajnë mediat italiane, të gjitha palët politike janë të gatshme të kryejnë ndryshimet e domosdoshme në këtë ligj, por nuk ka një konsensus mbi mënyrën se si mund të bëhet diçka e tillë.

Kryeministri Mario Monti, i cili drejton një qeveri teknike që pritet të drejtojë vendin deri në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në verë, deklaroi se nuk është detyrë e tij apo e kabinetit që ka formuar për t’u marrë me kodin zgjedhor të Italisë.

Top Channel