Video-skandali, marinsat urinojnë mbi kufomat

12/01/2012 04:38

Ushtria amerikane bëri të ditur se është duke hetuar mbi një video ku shfaqet një grup marinsash që urinojnë mbi trupat e vdekur të luftëtarëve talebanë.

Korpusi i Marinës tha se veprimet e portretizuara në klip, i cili u hodh në internet, por nuk është verifikuar ende për sa i përket vërtetësisë, “nuk përputhen me vlerat e marinsave amerikanë dhe se kjo çështje do të hetohet plotësisht”.

Videoja tregon katër burra në veshje ushtarake, që shfaqen duke urinuar në tre trupa pa jetë. Më pas dëgjohet zëri i njërit prej ushtarëve duke thënë: Paç një ditë të mbarë shoku.

Burrat të shtrirë në tokë kanë lëkurë ngjyrë kafe, janë zbathur dhe veshur me roba të lirshme, ndërsa njëri prej tyre duket të jetë i mbuluar në gjak.

Origjina e videos është e panjohur, dhe nuk është e qartë se kush e ka postuar online. Ushtarakët, supozohet se janë të vetëdijshëm që ata janë duke u filmuar.

Zëdhënësi i Pentagonit, Kapiteni, Xhon Kirby tha në një deklaratë: “Ne jemi të shqetësuar thellësisht nga videoja. Kushdo qoftë, dhe cilatdo qofshin rrethanat , kjo është një sjellje skandaloze dhe e papranueshme për një anëtar të ushtrisë.”

Ndërkohë që Këshilli mbi Marrëdhëniet Amerikano-Islamike thotë se video, nëse vërtetohet, tregon një sjellje që është krejtësisht e papërshtatshme për personelin ushtarak amerikan.

“Ne e dënojmë këtë përdhosje të dukshme të të vdekurit, si një shkelje të rregulloreve ushtarake të vendit tonë dhe të ligjeve ndërkombëtare të luftës, që ndalojnë veprime të tilla të neveritshme dhe të pamoralshme,” i shkroi këshilli Amerikano-Islamik në një letër, Sekretarit të Mbrojtjes, Leon Panetta.

SHBA ka rreth 20.000 marinsa të dislokuar në Afganistan, bazuar kryesisht në provincat e  Kandahar dhe Helmand. Në total, rreth 90.000 trupa amerikane janë në terren në Afganistan.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në Afganistan kanë thënë se plani për sigurinë e vendit do të përfundojë me tërheqjen e trupave luftarake në fund të 2014.

 

Top Channel