Spiunët britanikë “pastrohen” nga torturat

12/01/2012 00:00

Spiunët britanikë do të shfajësohen nga një numër cështjesh ku dyshohen
për bashkëpunim në torturimin e personave të burgosur jashtë vendit.

Lajmin e bën të ditur BBC. Scotland Yard dhe Drejtoria e Hetimeve Publike pritet të bëjnë një deklaratë konfirmimi më vonë gjatë ditës së enjte.

Vendimi vjen pas një hetimi mbi sjelljen e oficerëve të agjencive të spiunazhit MI5 dhe MI6. Megjithatë, edhe pse është mësuar se nuk do të ketë akuza, në deklaratë, sipas BBC, pritet të bëhen publike detaje të tjera të rëndësishme.

Gazetari i BBC për cështjet e brendshme, Danny Shaw deklaron se fakti që deklarata është përgatitur nga DHP dhe Scotland Yard tregon se ajo është shumë domethënëse. Ai thotë se ajo ngre dyshimin se hetimet e policisë nuk kanë mbaruar ende.

Hetimet, që filluan në mars të vitit 2009, nisën pas dyshimeve se agjentë të MI5-ës ishin përfshirë në torturimin e të burgosurit të Guantanamos, Binyam Mohamed.

Dyshohej se një oficer i agjencisë, i njohur si Dëshmitari B, ishte në dijeni për këtë dhe mbështeti torturimin e Mohamed kur ai u arrestua në Pakistan.

Një zyrtar i DHP, Kier Starmer deklaroi se gjatë hetimeve nuk dolën prova të mjaftueshme për të fajësuar Dëshmitarin B.

Megjithatë, ai theksoi se një hetim më i gjerë do të vazhdojë për sjellje të dyshuar kriminale. Një hetim tjetër ka ekzaminuar gjithashtu sjelljen e një agjenti të MI6-ës.

Top Channel