Shenja pozitive për ekonominë europiane

12/01/2012 15:45

Banka Qëndrore Europiane dha shenja inkurajuese rikuperimi, ndërsa vendosi që të ruajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në mbledhjen mujore të drejtuesve të saj.

Norma bazë e interesit mbetet prej 1.0%, normë që favorizon kreditë, në dëm të depozitave dhe që synon të rrisë qarkullimin e kapitaleve në tregjet europiane.

Në dy muajt e fundit, BQE kishte shkurtuar vazhdimisht këtë tregues financiar, në mënyrë që të ndikonte në stimulimin e rritjes ekonomike të bllokut.

Pavarësisht kësaj shenje pozitive, kreu i Bankës Qëndore Europiane, Mario Draghi, paralajmëroi se ekonomia e Eurozonës vazhdon të përjetojë rreziqe të mëdha dhe është e ekspozuar ndjeshëm nga efektet e mundshme anësore të zhvillimeve që mund të ndodhin në zona të tjera të globit.

Shumë analistë kanë parashikuar se 2012 do të jetë viti më i keq i krizës që ka përfshirë Eurozonën.

Më parë gjtë ditës, Banka e Anglisë vendosi edhe ajo të ruante në 0,5% normën e saj bazë të interesit, që mbetet e pandryshuar që nga marsi 2009.

BQE nuk ka patur kurrë një tregues më të ulët se 1%, që kur nisi punën e saj me emetimin e monedhës euro 13 vjet më parë.

Top Channel