Putin: Jo debateve televizive

12/01/2012 00:00

Kryeministri rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në debate televizive në kuadër të fushatës elektorale për Kremlinin.

Lajmin e ka bërë të ditur të enjten zëdhënësi i tij, Dmitri Peskov, i cili ka saktësuar se kreu i qeverisë do të delegojë përfaqësuesit e tij për të marrë pjesë në programe televizive.

I cituar nga agjencia “Interfax”, Peskov ka sqaruar se zgjedhja e Putin lidhet me faktin se për të marrë pjesë në debate televizive, kryeministri duhet të marrë zyrtarisht lejen e zakonshme.

Putin pritet që më vonë gjatë vitit të marrë sërish në dorë frenat e Kremlinit, pas zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në mars.

Por në fund të vitit të kaluar, pas zgjedhjeve legjislative, ai u përball me protestën më të madhe të qytetarëve rusë, që manifestuan pikërisht kundër tij.

Protestuesit denoncuan nivelin e lartë të korrupsionit në shtetin rus, si dhe monopolizimin e politikës nga Putin dhe bashkëpunëtorët e tij të partisë Rusia e Bashkuar.

Javën e kaluar, kreu i Kishës Ortodokse Ruse deklaroi se Kremlini duhet t’iu vërë veshin protestave të fundit masive për rezultatet zgjedhore dhe të ndreqë politikat e tij.

Nga ana e tij, kryeministri u shpreh i gatshëm për dialog me opozitën, por nga ana tjetër i mbylli asaj dyert duke përjashtuar mundësinë e përsëritjes, apo rishikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Në garën për Kremlinin, kryetari i Partisë Rusia e Bashkuar do të ketë përballë oligarkun e pasur Mikhail Prokhorov, të cilin e ka cilësuar “një konkurrent të fortë”.

Prokhorov është oligarku i parë rus që zbret në fushën e politikës, tetë vjet pas arrestimit të ish-bosit të kolosit “Yukos”, Mikhail Khodorkovski, i dënuar në dy procese që thuhet se janë orkestruar nga regjimi putinian.

Top Channel