Obama: Republikanët mbrojnë të pasurit

12/01/2012 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka sulmuar republikanët një ditë pas
fitores së Mitt Romney në zgjedhjet primare në New Hampshire.

“Duan të mbrojnë të pasurit me cdo kusht”, ka deklaruar Obama gjatë një fjalimi në Chicago, ku ka vizituar për herë të parë selinë e përgjithshme të fushatës së tij elektorale dhe ka marrë pjesë në disa evenimente për mbledhjen e fondeve.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka drejtuar gishtin tek Grand Old Party, që sipas tij është peng e qëndrimeve të së djathtës më ekstremiste e populiste, njësoj si Tea Party.

Bëhet fjalë për obstruksionizëm kundër atyre masave përmes të cilave administrata Obama synon të rimëkëmbë ekonominë dhe punësimin, përvec ripërtëritjes së bilancit.

“Ata do të luftojnë deri në frymëmarrjen e fundit për të mbrojtur dhuratat fiskale që u janë bërë amerikanëve më të pasur”, ka theksuar Obama.

Ai ka nënvizuar se përpjekjet e tij që të pasurit të paguajnë më shumë kanë si objektiv mbështetjen e shtresave më në nevojë të popullsisë, ato që vuajnë për shkak të krizës dhe papunësisë, si dhe klasën e mesme.

Republikanët, për presidentin e Shteteve të Bashkuara, duan një shtet ku të eleminohen tërësisht investimet publike në sektorin e ekonomisë dhe në atë të infrastrukturës.

“Është një vizion që nuk na përket neve”, ka thënë më tej presidenti, duke refuzuar me forcë idenë për një ekonomi ku secili mendon vetëm për vete.

Top Channel