Meksikë, 13 mijë të vrarë në 2011-ën

12/01/2012 00:00

Autoritetet meksikane deklarojnë se rreth 13 mijë persona janë vrarë në
aktet e dhunës të atribuara krimit të organizuar mes janarit dhe
shtatorit të vitit të kaluar.

Kjo do të thotë se numri i të vdekurve të shkaktuar nga lufta e drogës ka arritur në 47.515, që kur presidenti Felipe Calderon nisi ofensivën e tij kundër trafikantëve në vitin 2006.

Autoritetet deklarojnë se rritja prej 11 për qind e vrasjeve ishte shumë më e ulët se sa një vit më parë, por me zgjedhjet presidenciale në korrik, dhuna do të jetë një cështje kyce për votuesit.

Të mërkurën, zyra e prokurorit federal të Meksikës publikoi shifrat që tregonin se 12.903 persona janë vrarë në lidhje me narkotrafikun gjatë nëntë muajve të parë të 2011-ës.

Kjo ishte hera e parë që statistikat zyrtare u publikuan që prej janarit të vitit të kaluar dhe gjithcka u bë për t’iu përgjigjur kërkesave të vazhdueshme për lirinë e informimit.

Zyra e prokurorit deklaroi se rritja me 11 për qind e krimeve përbën një rënie të rëndësishme krahasuar me vitet e kaluara, konkretisht me 70 për qind në periudhën 2009-2010, 63% në 2008-2009 dhe 110% në 2007-2008.

Por shifrat e vitit 2011, që janë llogaritur deri në shtator, mund të shkojnë në 16 mijë nëse përfshihen edhe tre muajt e mbetur, tetori, nëntori dhe dhjetori.

Gjithashtu, zyra e prokurorit federal bëri të ditur se aktet e dhunës janë përqendruar në cerekun e shteteve të Meksikës, ku zonat më të nxehta mbeten Siudad Huarez, Monterrei, Mikoacani, etj.

Ndërsa kartelet kryesore që kontrollojnë tranzitin e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara janë: organizata Arellano, karteli i Paqësorit, Los Zetas, Sinaloa, organizata Carillio Fuentes, karteli i Gjirit, La Familia dhe karteli i pavarur i Akapulkos.

Top Channel