Itali, rrezikojnë emigrantët

12/01/2012 02:32

Ata që prisnin lajme pozitive nga qeveria e re lidhur me politikën e emigracionit, sot morën sinjalin e parë.

Gjatë një seance në Dhomën e Deputetëve ministri për Kooperacionin ndërkombëtar dhe për Integrimin Andrea Riccardi, deklaroi se duhen marrë nisma në ndihmë të emigrantëve që duhet të përtërijnë lejëqëndrimet e që ndërkohë kanë humbur vendin e punës për shkak të krizës.

Ai tha se 250 mijë deri në 350 mijë emigrantë rrezikojnë të mbetën pa lejëqëndrim vetëm për shkak të papunësisë. Prandaj ministri ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme po studiohet mundësia që këta emigrantë të mund të qëndrojnë në Itali të paktën edhe një vit, në kërkim të një vendi pune.

Aktualisht një emigrant i papunë që duhet të përtërijë lejëqëndrimin i jepen vetëm gjashtë muaj kohe për të gjetur një vend pune, përndryshe ai duhet të largohet nga Italia.

Ministri Riccardi nuk harroi të përmendë sërish nevojën e rishikimit të ligjit për nënshtetësinë italiane për fëmijet e emigrantëve të cilët aktualisht përbëjnë 7,5% të nxënësve dhe studentëve në Itali.

Top Channel