Haiti, 2 vjet më parë tërmeti shkatërrues

12/01/2012 00:00

Kur kanë kaluar dy vjet nga tërmeti, sistemi shëndetësor në Port au
Prince dhe në zonat përreth është ende në gjendje mjerane. Shumë
haitianë nuk kanë akses tek kurat mjekësore dhe kolera është në prag të
shpërthimit.

Denoncimi është bërë nga organizata Mjekë pa Kufij, në prag të përvjetorit të dytë të tërmetit dramatik që goditi ishullin dhe që u kujton njerëzve se atëherë humbën një të afërm, një mik apo një fqinj.

Që prej atëherë shumë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë pasojat e efekteve fizike dhe psikologjike të katastrofës. Grumbujt e gërmadhave përgjatë rrugëve të Port au Prince tregojnë se si qytetit i kanë mbetur ende plagët.

Mjekë pa Kufij punonte në Haiti përpara katastrofës dhe atë ditë humbi 12 anëtarë të personelit të saj dhe dy spitale që menaxhonte u shembën.

Që prej atëherë, organizata ka mbështetur një spital të Ministrisë së Shëndetësisë në qytezën e barrakave Cite Soleil dhe ka ndërtuar katër spitale-urgjencë në zonat e prekura nga tërmeti, ku jetojnë rret 2 milionë persona.

“Do të duhet ende kohë për të rindërtuar sistemin shëndetësor haitian. Ndërkohë, ne po punojmë për të mbushur hapësirat e lëna bosh nga mungesa e trajtimeve mjekësore dhe për t’iu përgjigjur emergjencave të reja, sic është kolera”, ka deklaruar kreu i misionit të MpK, Gerard Bedock.

Organizata kujton gjithashtu se një epidemi e rëndë kolere ka goditur Haitin në tetor të vitit 2010, ku u regjistruan mbi 500 mijë raste në të gjithë vendin.

Top Channel