Gazetari që sfidon mafian

12/01/2012 00:00

Në Modena të Italisë, një gazetar ka përfunduar nën mbrojtjen e policisë
pasi guxoi të tregonte për infiltrimet dhe trafiqet ilegale të
organizatave mafioze të jugut në veri.

Quhet Giovanni Tizian, nuk ka mbushur ende 30 vjec dhe bën një jetë modeste. Angazhimi i vetëm që kryen me kohë të plotë është e vërteta, pasi në vitin 1989 babai i tij u vra me cifte në Lokride të Kalabrisë, ku familja e tij jetonte para se të emigronte në Emilia.

Në mbështetje të tij janë mobilizuar përdorues të shumtë të rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter në vendin fqinj, ku lexohet parulla: “Unë quhem Giovanni Tizian”.

Jeta e reporterit, që bashkëpunon me “Gazzetta di Modena”, “Libera” dhe të përjavshmen “Narcomafie”, ka ndryshuar për herë të dytë dy javë më parë.

“Po bëhesha gati të haja drekë, kur papritur më telefonuan për të më thënë se isha në rrezik dhe se për të vazhduar punën time do më duhej mbrojtja e forcave të rendit”, tregon Giovanni, i cili që prej atëherë shoqërohet kudo nga dy agjentë të armatosur, të veshur civilë.

“Aty për aty nuk e kupton, por krijohen situata të cuditshme. Nëse shkoj për të bërë pazar vë re se jam me një ngut të pashpjegueshëm dhe nuk mendoj dot për gjërat që duhet të blej”, tregon gazetari, që së fundmi ka publikuar edhe librin-hetim “Gotica”.

Është pikërisht një nga gazetat për të cilat ai punon që ka publikuar ngjarjen, duke tronditur një qytet ku pavarësisht alarmeve të shumta, duket se vazhdon të refuzojë idenë se bota e krimit është një rrezik i vërtetë e real që duhet luftuar me prioritet.

Megjithatë, reporteri thotë se kërcënimet nuk do ta ndalin. “Përpiqem të gjej mënyrën për të vazhduar zanatin tim dhe jam i sigurt se do ta gjej. Nuk mendoj se një gazetar mund të ndryshojë botën, por besoj tek dobia sociale e këtij zanati”, shprehet ai.

Giovanni Tizian është gazetari i pestë që kërcënohet në Itali që nga fillimi i vitit 2012, por fakti që punon në Modena, një rajon simbol i legalitetit, e bën atë një rast të izoluar dhe jashtëzakonisht unik.

Top Channel